Transmetuar më 23-08-2019, 14:11

Ndodhin shpesh çudira në Shqipëri dhe futbolli nuk ka si u shpëton atyre.

Në edicionet e kaluara ka ndodhur që trajnerë të shkarkohen pas një, dy apo tre javësh.

Luftëtari i Gjirokastrës, ekip i Kategorisë Superiore, ka larguar trajnerin në javën e parë, madje një ditë para ndeshjes. Klevis Dalipi, i cili mori gati një muaj më parë drejtimin e Luftëtarit, e përgatiti dhe propozoi emrat e merkatos, largohet papritur para ndeshjes së parë të këtij sezoni.

Në vend të tij, Luftëtari ka ulur ish-mesfushorin e njohur të Kombëtares Klodian Duro, i cili si trajner ka pasur përvojë te Kukësi dhe Kamza.

Administratori i klubit “Luftëtari”, Artan Lazaj, pretendoi se Klevis Dalipi ”ka braktisur sot në mënyrë të njëanshme drejtimin e skuadrës.

Sipas tij Dalipit “i është dhënë një muaj parapagim”, ndërsa pranoi se në diskutimet e mbrëmjes së djeshme palët nuk ranë dakord në një pikë. Por gjithsesi, kur nesër Luftëtarit i duhet të përballet me Tiranën, në ndeshjen e parë të këtij sezoni, ndodh ajo që nuk besohet.

Normalisht, kjo tregon se kontratat në Shqipëri nuk funksionojnë, pasi ky fenomen nuk ndodh askund tjetër në Europë.

Trajner i ri do të jetë Klodian Duro, që mori sot drejtimin e Luftëtarit, pa zhvilluar asnjë seancë me ekipin dhe që natyrisht nuk kishte bërë asnjë plan për të ardhmen e gjirokastritëve.

Kampionati hapet sot me ndeshjen Kukësi-Partizani. /a.m/noa.al