Java e dytë e Superiores: Partizani merr fitoren e parë, Kukësi shpartallon Flamurtarin në Vlorë
Transmetuar më 28-08-2019, 20:53

Java e dytë e kampionatit në Kategorinë Superiore dha rezultate surprizë dhe emocione të tjera.

Kukësi pas fitores me Partizanin, është kthyer në një skuadër me ambicje serioze për titull, pasi është duke fituar thellw edhe në Vlorë, kur mbeten edhe pak minuta nga mbyllja e këtij takimi.

Për trajnerin Shpëtim Duro, nga emrat cilësorë që ka në skuadër, mbetet e vështirë të përzgjedhë lojtarët e duhur që zbresin në fushë, siç ndodhi edhe në takimin e mbrëmjes së sotme.

Shkëndija e parë u dha sot në ndeshjen mes Kukësit dhe Flamurtarit, kur trajneri vendosi që të largonte nga loja Enis Gavazajn për t’i bërë vend Kristal Abazajt në fushë.

Abazaj u zyrtarizua mbrëmjen e djeshme te Kukësi. Ai erdhi në formë huazimi. Abazaj la menjëherë gjurmë, teksa ishte protagonist i golit të parë, ndonëse topin në rrjetë e çoi mbrojtësi i Flamurtarit,  Gocaj. Vasil shkurtaj realizoi dy gola të tjerë në fitoren e sigurt të Kukësit, kur mbeten edhe pak minuta nga mbyllja e këtij takimi.

Ish-futbollisti i Skënderbeut, Gavazaj, nuk e priti mirë vendimin e ndërrimit me Abazajn, duke reaguar dhe duke sharë ndërsa largohej nga fusha.

Trajneri Duro e ftoi futbollistin pranë tij, duke u munduar t’i shpjegonte pse e kishte larguar nga fusha e lojës, Por futbollisti dukej qartësisht i mërzitur, ndërsa u ul duke goditur me grusht pankinën, jo edhe aq i bindur nga fjalët e trajnerit.

Pas barazimit pa gola në takimin e parë të ditës së djeshme mes Tiranës e Teutës, u zhvilluan sot ndeshjet e tjera.

“In extremis” në javën e parë përballë Flamurtarit, Skënderbeu arriti të befasojë sot në Laç, duke triumfuar me përmbysje me rezultatin 1-2.

Vendasit e Sulejman Starovës vinin pas humbjes me një ndeshje shumë të dobët në Shkodër ndaj Vllaznisë dhe e nisën vrullshëm takimin e sotëm, duke dominuar pjesën e parë dhe gjetur golin e avantazhit me anë të sulmuesit Kyrian Nwabueze.

Megjithatë korçarët ndryshuan shumë në lojën e tyre në pjesën e dytë dhe arritën të rikthejnë baraspeshën në minutën e 48’, pas një goli mjaft të bukur të shënuar nga sulmuesi i talentuar Dejvi Bregu.

Të besuarit e Dajës nuk u mjaftuan me kaq dhe në minutën e 66’ arritën të gjejnë golin e avantazhit me anë të sulmuesit Otto John, i cili u aktivizua vetëm në pjesën e dytë të takimit, ndërsa rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund të takimit.

Gjetën fitoren e parë në kampionat edhe kampionët në fuqi të Superiores, “të kuqtë” e Partizanit, që arritën të triumfojnë me rezultatin minimal 0-1 në Gjirokastër përballë Luftëtarit vendas.

Një gol i shënuar nga Bruno Telushi në minutën e 15’ të takimit, bëri që kryeqytetasit të dilnin me 3 pikë nga transferta gjirokastrite, ndonëse në letër kjo sfidë pritej të ishte shumë më e letër për “të kuqtë”.

Përfundoi në barazim pa gola sfida mes debutuesve të Superiores, Bylisit dhe Vllaznisë, rezultat ky që u shkon më shumë përshtat shkodranëve, që largohen me një pikë mjaft të vlefshme nga transferta mallakastriote.

Java e dytë e Kategorisë Superiore do të mbyllet mbrëmjen e sotme me sfidën mes Flamurtarit dhe Kukësit, që do të zhvillohet në Vlorë. Kukësi kryeson me pikë të plota, pas dy javëve të para.

Flamurtari-Kukësi 0-3

Shënues: 24′, 63’ Shkurtaj, 72’Gocaj (ag)

Flamurtari: Moçka, Qarri(46’ K. Nebihu), Mema, Bajraktareviç, Gocaj, Muçollari, Deliaj, Haruni (74’Diamanti), Rrapaj, Hoxhaj, Vatnikaj (46’ B. Nebihu). Trajner. Dritan Sadedini

Kukësi: Avdyli, Teqja, Obanor, Maliqi, Kitanovski, Musta, Limaj, Rrocaj, Et’hemi (76’Kamara), Gavazaj (65’Abazaj), Shkurtaj (78’Daku). Trajner. Shpëtim Duro

Gjyqtarë: Olsid Ferataj, Nertil Bregasi, Nuri Rrapaj, Juxhin Xhaja

Loading...
Loading...