Instagrami vjen me një tjetër ndryshim, ja për çfarë bëhet fjalë
Transmetuar më 06-12-2019, 08:42

Për herë të parë që kur është lançuar, Instagrami do t’u kërkojë përdoruesve të vendosin ditëlindjen e tyre. Duke filluar nga sot, kushdo që dëshiron të hapë një llogari në rrjetin social, duhet të japë moshën e saktë.

Përdoruesit nën 13 vjeç nuk do të mund të kenë një llogari në Instagram. Kjo masë është marrë për të mbrojtur të miturit duke mos i ekspozuar ata në përmbajtje të papërshtatshme.

Instagrami tregoi se informacioni mbi moshën e përdoruesve do të përdoret për t’u dhënë të rinjve më shumë privatësi, siç është për shembull bllokimi i mesazheve nga njerëzit që nuk të ndjekin.

Ndërsa ditëlindja e përdoruesve nuk do të bëhet publike për asnjë përdorues tjetër. Ndryshimi nuk do të ndihet tek ata që aktualisht kanë një llogari në Instagram, pasi ditëlindja e tyre do të merret automatikisht nga Facebook-u (nëse rrjetet janë të lidhur me njëri-tjetrin).