Transmetuar më 02-02-2020, 16:13

Bota e zhvilluar jo më kot investon për shkencën dhe studimet shkencore, të cilat japin edhe rezultate konkrete.

Mjekët e Spallanzani në Itali kanë izoluar koronavirusin dhe janë drejt zbulimit të ilaçit, që do të parandalojë vdekjet dhe përhapjen e virusit, që po trondit botën.

Njoftimi u bë nga Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Rezultatet do të ndahen me bashkësinë ndërkombëtare të shkencave mjekësore.

Lajmin e dha sot Ministri i Shëndetësisë së Italisë, Roberto Speranza, duke folur pikërisht në Institutin për sëmundje infektive, në kryeqytetin italian, ku dy turistët kinezë që janë aktualisht të vetmit njerëz të testuar pozitivisht në Itali, janë shtruar dhe izoluar në spital.

Italia është vendi i parë në Evropë, që reagon përmes një zbulimi të madh. Ky është rezultati i marrë nga virologët më pak se 48 orë pas diagnostikimit të dy pacientëve të parë, në Itali. "Është një hap i rëndësishëm", – shpjeguan studiuesit, "që do të na lejojë të rafinojmë metodat ekzistuese të diagnostikimit dhe të vendosim të reja".

"Izolimi i virusit do të na lejojë të përmirësojmë reagimin ndaj urgjencës së koronavirusit, të mësojmë më shumë rreth mekanizmave të epidemisë dhe të përgatisim masat më të përshtatshme", tha drejtori shkencor i spitalit Spallanzani, Giuseppe Ippolito.

"Rezultati i marrë nga virologët tanë" nënvizoi Marta Branca, drejtori i përgjithshëm i institutit, – "është një dëshmi e mëtejshme e përsosmërisë shkencore të Spallanzani, një institut ku kërkimi nuk është kurrë një qëllim në vetvete, por ka si objektivin e tij përfundimtar dhe konkret përmirësimin e kujdesit ndaj pacientit".

"Me izolimin e virusit nga ekipi i virologëve Spallanzani, konfirmohet cilësia absolute e strukturave shëndetësore në rajonin tonë," shtoi Alessio D’Amato, Këshilltari Shëndetësor i Rajonit Lazio.

Izolimi i koronavirusit të ri, "do të thotë shumë mundësi për të studiuar, kuptuar dhe verifikuar më mirë se çfarë mund të bëhet për të bllokuar përhapjen: tani do të jetë më e lehtë për ta trajtuar atë" – theksoi Speranza.

Edhe Televizioni kinez CGN e ka përcaktuar një hap "me rëndësi të madhe për ndalimin e koronavirusit" kur sapo Italia deklaroi se "laboratori i institutit të tij kombëtar për sëmundje infektive ka izoluar virusin".

/NOA.al