Transmetuar më 01-06-2020, 09:08

Aktorja dhe moderatorja bukuroshe, Jonida Vokshi po pret plot emocion ditën kur do të sjellë në jetë vajzën e saj.

Ajo dhe bashkëshorti regjisori nga Kosova, Besnik Krapi, janë shumë të lumtur që do bëhen me një princeshë dhe madje kanë zgjedhur edhe emrin e saj.

Në një intervistë për “Revista Who”, Jonida tregon se ajo dhe Besniku e kishin menduar të bëheshin prindër, por erdhi më shpejt se ç’e prisnin.

“Një shtatzëni mes të dëshiruarës dhe rastësisë. Unë dhe Besniku e kishim menduar që shpejt të vinte dhe momenti për t’u bërë prindër se të dy vdesim për fëmijë, por erdhi edhe më shpejt nga ç’e prisnim (qesh), nuk priti planet tona”, shprehet Jonida.

Ajo tregon edhe momentin kur i dha Besnikut lajmin e bukur. “Besniku ishte në një ndeshje futbolli në stadium në Prishtinë. Unë në Tiranë. I shkruajta: “Kujdes zemër, mos pi shumë birra e sillu mirë tani, se ke me u bo baba” dhe pastaj kam lexuar sms nga Besniku të tipit: “A e ke seriozisht? Nëse është humor dije që është shumë pa lidhje e i rëndë. Jonida e ke me të vërtetë?”, e gjëra të kësaj natyre, këto sa doli jashtë stadiumit e më mori në telefon. Kur e konfirmoi që nuk ishte shaka, e la lojën përgjysmë, nuk hyri më brenda e ka fluturuar në gjithë Prishtinën prej gëzimit (qesh)”.

Jonida tregon se gjatë periudhës së shtatzënisë trupi nuk i ka ndryshuar shumë përveç barkut dhe është ndjerë mirë fizikisht. Ajo i ka bërë blerjet për beben ndërsa dhomën nuk e ka arreduar pasi çifti ka vendosur që vogëlushja të flejë me ta.

“Dhomën nuk e kam arreduar akoma për një arsye. Unë dhe Besniku nuk jemi që goca të flejë në dhomë më vete. Ajo do të flejë me ne, kështu që për momentin mjafton shtrati që i kemi zgjedhur. Kur të vijë momenti që do ta mendojmë të arsyeshme që duhet dhoma e saj, do e bëjmë. Momentalisht nuk e lëshojmë, me ne në shtrat”, tha Jonida.

Për emrin e vajzës, ajo shprehet: “Emri i gocës ka ardhur që në fillim, shumë herët, duke parë një film të dy me Besnikun, ku u përmend dhe emri dhe vetëm jemi parë në sy dhe iku ai muhabet”.

Jonida thotë se dëshiron që vajza t’i ngjajë asaj në pamje dhe Besnikut në karakter.