Transmetuar më 04-07-2020, 18:49

Gjashtë persona kanë vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të cilët ishin të prekur me koronavirus, gjatë 24 orëve të fundit.

Kjo është bërë e ditur nga Klinika Infektive e QKUK-së.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës, përkatësisht klinikat e saj ku po trajtohen pacientët e prekur nga Covid-19 kanë njoftuar se gjatë ditës së sotme, 4 korrik 2020, deri në ora 17:00 kanë përfunduar me vdekje 6 pacientë të infektuar me COVID-19:

Në Klinikën Infektive 1 pacient, në Klinikën e Pulmologjisë 2 pacientë dhe në Mjekësinë Sportive 3 pacientë. Pacientët që kanë përfunduar me vdekje janë: Sh.I. (1949) -Prishtinë; F.H (1948) -Viti, R.K (1950)-Mitrovicë, B. G (1960)-Vushtrri, S. T. (1949) – Fushë Kosovë dhe V. SH. (1982)- Pejë.

Sipas informacioneve nga klinikat, pacientët që kanë ndërruar jetë sot, përveç infeksionit Covid-19, kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftimin e MSH’së.

Deri tani në Kosovë janë prekur me koronavirus 3178 persona e janë shëruar 1824.

Bilanc të rëndë ditor ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut ku në 24 orët e fundit kanë vdekur gjithashtu 6 persona nga Covid-19.

Gjatë 24 orëve të fundit janë bërë 1296 testime nga të cilët kanë rezultuar pozitiv me koronavirus 147 persona.

Shumica e të infektuarve të rinj janë zbuluar në Shkup, 64 raste.

Viktimat janë mes moshës 36 dhe 78 vjeçe.

Në total janë 334 persona që kanë humbur betejën me koronavirusin e ri në këtë vend.

Po ashtu Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se në 24 orët e fundit janë shëruar 111 pacientë.

Aktualisht Maqedonia e Veriut ka 3611 raste aktive me Covid-19./noa.al/