Pas Thaçit, në Hagë thirret edhe Ali Ahmeti
Transmetuar më 22-07-2020, 23:47

Pas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, prokuroria speciale e Hagës ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit edhe Ali Ahmetin, liderin kryesor shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Ahmeti, përmes një statusi në Facebook.

“Të nderuar qytetarë, sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time.

Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë.

Gjithëmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar qiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit.”, shkruan Ali Ahmeti.

Ftesa për Ali Ahmetin vjen në një moment kyç në Maqedoninë e Veriut, ku partitë shqiptare kanë rritur ndjeshëm numrin e deputetëve në parlament, ndërsa vetë Ahmeti ka insistuar tek zgjedhja e kryeministrit të parë shqiptar.