Transmetuar më 30-07-2020, 16:06

Kishte 11 vjet që priste. Tirana u kurorëzua mbrëmjen e djeshme me titullin e 25-të kampion në Shqipëri, pas barazimit 1-1 me Bylis, në ndeshjen e fundit të kampionatit. Festa në stadium, rrugë dhe më pas në një prej lokaleve të kryeqytetit, zgjati deri në mëngjes.

Presidenti Refik Halili dhe familja e tij kishin investuar për një sukses të tillë, ndonëse nuk e shijuan siç duhej, për shkak të periudhës së vështirë të koronavirusit.

Megjithatë, atmosfera u ndes falë këngëtares Ronela Hajati, e cila në një bashkëpunim me Dj Sardi, realizuan edhe himnin e këtij suksesi.

Festës së Tiranës iu bashkua edhe Presidenti, Ilir Meta.

“Tirana e ka merituar në një vit që meritonte të ringritej. Është ekip me histori, kam veshur fanellën me shumë dashuri për bardheblutë e sidomos për fansat e Tiranës, që kanë kaluar vite të vështira dhe më në fund iu kthye buzëqeshja në vit historik", u shpreh Meta, rreth kurorëzimit historik të bardhebluve.

Tirana 25-herë kampione e Shqipërisë, si asnjë ekip tjetër, mbështetet prej 15 vitesh financiarisht nga Refil Halili, i cili ka premtuar se do të mbajë organikën kryesore dhe trajnerin Emanuel Egbo, për të nisur eventurën europiane, si dhe do të zgjasë projektin për titullin e radhës kampion. /NOA.al