Transmetuar më 10-02-2021, 19:16

Nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut ende mësojnë nga libra me përmbajtje që nxisin urrejtjen mes dy vendeve.

Bëhet fjalë për librin e Gjeografisë së vitit të II-të ku thuhet se shqiptarët kanë qenë maqedonas dhe se me pranimin e fesë islame janë shqiptarizuar.

Lidhur me këtë skandal, rinia e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka zhvilluar një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, kundër ofendimeve ndaj shqiptarëve në librin e gjeografisë për vitin e dytë të gjimnazit. Forumi rinor i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës ka djegur faqet e librit ku thuhet se shqiptarët kanë prejardhje turke, rome dhe çerkeze, dhe se Maqedonia e Veriut është mbushur me shqiptarë në 200 vitet e fundit nëpërmjet proceseve politike.

"Këta libra shkollorë, siç është rasti me këtë libër që po e shihni këtu, lëre që na ofendojnë, lëre që na hedhin poshtë historinë tonë, por edhe vendosin bazën për ndoshta elemente fashiste kundër shqiptarëve në të ardhmen”, tha Omer Ajdini, Forumi Rinor i ASH-AAA

Pas aktit simbolik kanë ndërhyrë edhe forca të shumta policore. Aktivistët thonë se ndërhyrja e policisë ka për qëllim trysni dhe kalimin në heshtje të këtij skandali.

Ata thanë se kishte diku 30 policë të cilët u mblodhën para Ministrisë së Arsimit. “Pa kurrfarë arsyetimi filluan që mua të më marrin në pyetje, m’i morën dokumentet dhe na pyesnin për atë se çfarë bëmë”, tha një aktivist.

Por çfarë thoshte teksti?

“Prej shqiptarëve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin veten si autokton, kryesisht ato janë popullsi maqedone që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka edhe nga ndonjë fis që e ka prejardhjen turke, rome ose çerkeze”, thuhet në librin e Gjeografisë.

Koalicioni ASH-AAA përmes një komunikate reagoi ashpër ndaj heshtjes së institucioneve për këtë çështje. Sipas tyre kjo përbuzje Institucionale është bërë me dijeninë dhe përgjegjësi të ministrave të BDI-së, që ndër vite kanë lejuar një denigrim të tillë ndaj shqiptarëve nga institucionet shtetërore.

Koalicioni ASH-AAA kërkon ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për librat shkollorë:

Konceptimi i librave shkollorë për nxënësit shqiptarë të realizohet nga autorë shqiptarë;

Konkursi për librat e rinj të ketë formën ku do të pranohen minimum dy libra më të mirë nga dy gjuhët, që pastaj të mund të gërshetohen temat nga komisioni multietnik për cilësi më të mirë të librit.