Transmetuar më 18-04-2021, 17:27

Ku është qendra ime e votimit?

Qendra e votimit është mjedisi ku ju do të votoni në ditën e votimit.

Kërkoni në E-Albania ose në aplikacionin KQZ për të gjetur qendrën e votimit dhe vendndodhjen e saj.

Për të kërkuar të dhënat, ju nevojiten gjeneralitetet tuaja.

Kontrolloni emri tuaj në LISTËN E ZGJEDHËSVE.

Nëse nuk e gjeni emrin tuaj, paraqituni menjëherë pranë zyrës së gjendjes civile pranë njësisë tuaj administrative.

Nëse kërkoni të ndryshoni qendrën e votimit apo kërkoni të shtoni ose ndryshoni përbërësit e regjistrit zgjedhor, paraqituni pranë zyrës së gjendjes civile pranë njësisë tuaj administrative.

Zyra e gjendjes civile kryen verifikimet përkatëse dhe jo më vonë se 2 ditë nga dorëzimi i kërkesës kryen ndryshimin e kërkuar ose refuzon me shkrim kërkesën.

Kundër mospranimit të kërkesës për ndryshim të përbërësit zgjedhor, mund të bëhet ankim nga kërkuesi në gjykatën e rrethit gjyqësor, në juridiksionin e së cilës ndodhet njësia e qeverisjes vendore.

Ankimi bëhet jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për vendimin ose nga kalimi i afatit për marrjen e vendimit mbi kërkesën nga zyra e gjendjes civile.

Kërkesëpaditë, për ndryshimin e përbërësve zgjedhorë përjashtohen nga pagesa e taksës së shërbimit gjyqësor.

Si votohet?

Çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote, sigurohet që emri i tij është i regjistruar në listën përfundimtare të zgjedhësve dhe është informuar për vendndodhjen e qendrës së votimit.

Ditën e votimit zgjedhësi paraqitet në qendrën e tij të votimit me dokumentin e identifikimit (ID ose pasaportë biometrike).

Komisioni i Qendrës së Votimit verifikon identitetin e zgjedhësit.

Zgjedhësi pajiset me fletën e votimit nga Komisioni i Qendrës së Votimit.

Zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë.

Zgjedhësi shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor dhe / ose kandidatin e parapëlqyer të subjektit zgjedhor.

Zgjedhësi përdor shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.

Më pas palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme.

Votimi përfundon në momentin kur zgjedhësi hedh fletën e votimit në kutinë e votimit dhe largohet nga qendra e votimit.

Pyetje/përgjigje për fletën e votimit

1) Me sa fletë votimi do të votohet në zgjedhjet e datës 25 prill 2021? Në këto zgjedhje do të votohet vetëm me një fletë votimit.

2) Çfarë përmban fleta e votimit? Në fletën e votimit janë të shënuara emrat e subjekteve zgjedhore (parti politike, koalicione ose kandidatë të pavarur), dhe në secilin rresht ku është shënuar emri i subjektit zgjedhor janë të shënuar në vazhdim numrat e kandidatëve të atij subjekti sipas renditjes në listën e dorëzuar në KQZ.

3) Si duhet të plotësohet fleta e votimit që ajo të jetë e vlefshme? Në kuadratin e bardhë përbri logos së subjektit zgjedhor (parti/koalicion), ose sipas rastit kur zgjedh edhe kandidatin, duhet të vendosësh shënjën X, ose +. Çdo shënim tjetër mundet ta bëj ta pavlefshme fletën e votimit.

4) Si duhet të votoj që vota ime të jetë e vlefshme? Ti mundet të votosh vetëm në një nga tre mënyrat:

Ti mund të votosh vetëm subjektin zgjedhor (parti/koalicion) dhe të mos votosh për asnjë nga kandidatët e atij subjekti zgjedhor. Në këtë rast vota i shkon listës së kandidatëve në tërësi sipas renditjes që ka paraqitur subjekti zgjedhor; Ti mund të votosh për subjektin zgjedhor dhe gjithashtu mund të votosh vetëm njërin nga kandidatët e atij subjekti. Në këtë rast vota i shkon subjektit zgjedhor. Është gjithashtu votë edhe për kandidatin e atij subjekti; Ti mund të votosh vetëm për një kandidat (duke shënuar X ose + vetëm në kutinë që i korrespondon numrit të kandidatit të preferuar), pa votuar subjektin zgjedhor të cilit i përket ai kandidat. Në këtë rast vota shkon për kandidatin, por shkon edhe për subjektin të cilit i përket kandidati.

5) A mund të votoj për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër? Jo, nuk mundesh.

6) A mund të votoj për dy subjekte zgjedhore? Jo, nuk mundesh.

7) A mund të votoj për dy kandidatë të të njëjtit subjekt zgjedhor? Jo, nuk mundesh.

8) A mund të votoj dy kandidatë të dy subjekteve të ndryshëm?

Jo, nuk mundesh.

Të drejtat e votuesve

Çdo shtetas që ka mbushur 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të  drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.

Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.

Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore.

Në vijim shihni si është fleta e votimit në të 12 qarqet e vendit

Disa këshilla për ditën e votimit

Info përmbledhëse