Transmetuar më 29-12-2021, 12:36

Kina: Respektimi i detyrimeve dhe traktateve ndërkombëtare për hapësirën është domosdoshmëri për jetën dhe sigurinë e astronautëve

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian tha në një konferencë të rregullt shtypi të martën se Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar në mënyrë të përsëritur konceptin e "sjelljes së përgjegjshme në hapësirën kozmike", por kanë shpërfillur detyrimet e traktateve ndërkombëtare për hapësirën kozmike, duke përbërë një kërcënim serioz për jetën dhe sigurinë e astronautëve kinezë.

Sipas uebsajtit zyrtar të Komitetit për Përdorimin Paqësor të Hapësirës Kozmike të OKB-së, më 3 dhjetor, Misioni i Përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Vjenë i dërgoi një notë verbale sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, duke e informuar se satelitët “Starlink” të lëshuar nga kompania amerikane “SpaceX” i janë afruar dy herë këtë vit Stacionit Hapësinor Kinez, duke përbërë një kërcënim për jetën dhe shëndetin e astronautëve në Stacionin Hapësinor Kinez.

Duke iu përgjigje pyetjeve lidhur me këtë çështje, Zhao Lijian konfirmoi se në korrik dhe tetor të këtij viti, satelitët “Starlink” të “SpaceX”-it iu afruan dy herë Stacionit Hapësinor Kinez.

Gjatë asaj periudhe, astronautët kinezë po kryenin misione në stacionin hapësinor. Për arsye sigurie, Stacioni Hapësinor Kinez mori masa për shmangien e përplasjes.

Zhao Lijian vuri në dukje se Traktati i Hapësirës Kozmike i vitit 1967 njihet si gur themeli i ligjit aktual ndërkombëtar në fushën e hapësirës kozmike.

Traktati përcakton se astronautët janë të dërguar nga i gjithë njerëzimi në hapësirën kozmike, dhe të gjitha vendet duhet të respektojnë dhe mbrojnë sigurinë e tyre dhe të njoftojnë Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara ose nënshkruesit e tjerë për dukuritë e gjetura në hapësirën kozmike që paraqesin rrezik për jetën ose shëndetin e astronautëve.

Ato gjithashtu duhet të marrin përgjegjësinë për të gjitha aktivitetet në hapësirën kozmike të kompanive të tyre private.

Për të përmbushur detyrimet e saj sipas traktatit dhe për të mbrojtur jetën e astronautëve, qeveria kineze njoftoi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së për situatën e rrezikshme të lartpërmendur dhe masat e marra nga Kina përmes Misionit të Përhershëm të saj në Vjenë më 3 dhjetor, dhe i kërkoi sekretarit të përgjithshëm të informojë të gjitha shtetet nënshkruese.

"Eksplorimi dhe përdorimi paqësor i hapësirës kozmike është kauza e përbashkët e të gjithë njerëzimit. Kina e ka përdorur gjithmonë hapësirën në mënyrë paqësore në frymën e përfitimeve për të gjithë njerëzimin.

Shtetet e Bashkuara duhet të respektojnë sistemin ndërkombëtar të hapësirës kozmike të bazuar në ligjin ndërkombëtar, të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar incidente të tilla dhe të mbajnë një qëndrim të përgjegjshëm për të ruajtur sigurinë e astronautëve në orbitë dhe funksionimin e sigurt e të qëndrueshëm të objekteve hapësinore," – theksoi Zhao Lijian.