
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje online, në të cilën ndër të tjera ka miratuar masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.
Kufizimi i lëvizjes do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00. Po ashtu, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:
-Certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;
-Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).
-Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk i kanë dy doza të vaksinës janë të detyruar të kryejnë karantinim shtëpiak për një periudhë prej shtatë ditësh që nga hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.
-Procesi mësimor do të zhvillohet siç është bërë deri tani.
-Pensionistët vazhdojnë të jenë të liruar nga paraqitja e rregullt.
-Mbledhjet në ambiente të mbyllura lejohen me maksimum 30 persona.
-Ndalohet veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, apo dasmave e fejesave. Ndalohet edhe mbajtja e pritjes për ngushëllim.
-Gastronomisë i lejohet puna deri në orën 21:00. Muzika në lokalet e gastronomisë lejohet deri në orën 20:30.
-Masat e miratuara hyjnë në fuqi nesër, me 22 janar 2022 dhe vlejnë deri më 4 shkurt 2022.