Transmetuar më 21-06-2022, 12:47

Mes talenteve të vlerësuara nga Juventusi U-23 është edhe Giacomo Vrioni, sulmuesi me pasaportë shqiptare për shkak të origjinës së prindërve të tij. Ai luan në kombëtaren e drejtuar nga Edy Reja, është ende në pronësi të klubit të Juventusit dhe vjen nga titulli i golashënuesit më të mirë në Bundesligën austriake.

Karriera e Vrionit ka qenë shumë e veçantë deri tani. Produkt i akademisë së Sampdorias, pas disa paraqitjeve emocionuese mes Serie B dhe C, u bë pjesë e bardhezinjve. Juventusi besoi te lojtari shqiptar, teksa fillimisht e grumbulloi në U-23 dhe më pas në ekipin e parë, kompletuar me debutimin në Serie A në ndeshjen e fundit të sezonit 2019-2020, nën drejtimin e Sarrit.

Thyerja e fibulës në sezonin pasardhës ishte preludi i huazimit të tij te Swarovski Tirol, skuadra e ligës së lartë austriake, në të cilën Vrioni shpërtheu, duke shënuar 21 gola në kampionat dhe kupë.

Një paraqitje që ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve italiane, por edhe të vetë Max Allegrit. Klubi më i interesuar duket Sampdoria, e cila ka kërkuar huazimin e sulmuesit shqiptar.

Klubi i Juventusit, megjithatë, duket se dëshiron të marrë kohën e tij, me shtysën e Allegrit, i vendosur për ta vlerësuar Vrionin gjatë përgatitjeve verore dhe ndoshta në turneun e SHBA, të planifikuar për në korrik.

Ndaj Vrioni duket i destinuar të qëndrojë bardhezi të paktën për pjesën e parë të verës, me "Zonjën e Vjetër" gjithashtu gati të vlerësojë çdo propozim për shitjen e përhershme. Juve e vlerëson kartonin e lojtarit në rreth 10 milionë euro.