
Një abuzim i shëmtuar po ndodh në volumet e shitjes së karburanteve për bizneset dhe qytetarët duke bërë që të plaçkiten rregullisht nga privatët, me suportin e shtetit.
Kjo po ndodh pasi edhe shërbimi i kontrollit të metrologjisë së pikave të karburantit është dhënë me koncesion të tipit PPP, duke e bërë tërësisht të paqartë sesi mund të kontrollohen ligjërisht abuzimet në rastin në fjalë.
Shqetësimet kanë ardhur në shtim sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2022, që i përket edhe rritjes së fortë të cmimit të karburanteve.
Abuzimet me volumet e tregtura janë të ndjeshme për të gjitha llojet e karburanteve dhe veçanërisht në tregëtimin e gazit të lëngshëm.
Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria, thotë se sipas vlerësimeve të tërthorta krahësuese me vendet fqinje, llogaritet se për naftën dhe benzinën grabitja në volume mund të arrijnë në jo më pak se 5% dhe për gazin e lëngshëm jo më pak se 8% të sasisë së shitjes.
Duke patur parasysh se tregu i karburanteve në Shqipëri qarkullon të paktën 1,5 miliard dollarë, kosto e bizneseve dhe qytetarëve shtohet në dhjetra milionë euro/vit.
Gjithashtu, pasoja të rënda i shkaktohen buxhetit të shtetit, duke ditur se 60% e çmimit të karburanteve janë taksa dhe tatime. /noa.al
Foto ilustruese, NOA/LSA