Transmetuar më 17-08-2022, 20:43

Në një moment ata janë përplasur mes tyre për një vend parkimi. Duket se gjaknxehtësia ka bërë të vetën, por edhe thika që një nga dy burrat kishte me vete, bëri që të nxitej dhe të dukej më e mundshme kryerja e një krimi të paplanifikuar

SARANDË – Të shkosh me pushime në Sarandë dhe të konfliktohesh për një vend parkimi e të të ikë jeta për hiçgjë. Duket si histori banale dhe absurde, por ndodhi sonte dhe u shua një burrë në moshë të re, kurse një djalë ende larg të 25-ave ka marrë arratinë pasi shihet si vrasësi.

Viktima është Klodian Bakia 41 vjeç nga Tepelena dhe autori i dyshuar është Xhenelio Tarja, 24 vjeç nga Laçi, kamerier në një lokal në qytetin turistik. Noa.al mëson se konflikti dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta, për një vend parkimi.

Gjithçka ndodhi sonte në orën 18.30 në lagjen nr 1 të qytetit të Sarandës, raporton noa.al. Nga të dhënat në vendngjarje dhe hetimet policore, u zbardh se Klodian Bakia, 41 vjeç nga Tepelena, si dhe Xhenelio Tarja, 24 vjeç nga Laçi, u përballën pak para orës 18.30 pranë një lokali në rrugën kryesore të qytetit jugor bregdetar.

Sherri mes të dyve që si pasojë përfundoi me vdekjen e Bakiajt, nisi për një vend parkimi.

Mësohet se 24-vjeçari Tarja ishte kamarier në restorantin në Sarandë, ndërkohë që dyshohet se Bakia ka parkuar makinën e tij para objektit.

Djali nga Laçi dhe burri nga Tepelena kanë debatuar për lirimin e vendit e parkimit. Pak më pas, Tarja e ka qëlluar dy herë me thikë në zemër duke i marrë jetën.

Në çaste sherri që tronditi familjarët e miqtë e palëve dhe qytetarët e rastësishëm, dyshohet se djali laçian ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar me të, burrin tepelenas. I plagosuri u dërgua në spitalin e Sarandës, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë.

Ndërkohë, i riu nga Laçi mori arratinë për t’i shpëtuar një ndjekjeje të mundshme policore.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Pak minuta më pas është bërë identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Xhanelio Tarja, 24 vjeç, banues në Laç.

"Shtetasi Xhenelio Tarja dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për parkimin, në lagjen nr.1, Sarandë, ka goditur me mjete prerëse 41 vieçarin Klodian Bakiaj, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marrë, ka ndërruar jetë në spitalin e Sarandës", tha zyrtarisht policia.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë po vijojnë punën intensive për kapjen e autorit të dyshuar, por edhe punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë vrasje si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /noa.al