Transmetuar më 22-08-2022, 14:14

Punonjësit e Apple i janë kundërpërgjigjur urdhrave të kompanisë teknologjike për kthimin në zyrë dhe kanë nisur një peticion ku deklarojnë se firma rrezikon të mbysë diversitetin dhe mirëqenien e stafit duke kufizuar aftësinë e tyre për të punuar në distancë.

Peticioni është nhë përgjigje ndaj memorandumit që iu bë të gjithë punonjësve nga shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, i cili javën e kaluar tha se punëtorët do të duhet të vijnë në zyrë për të paktën tre ditë në javë nga shtatori, duke përfshirë të martën, të enjten dhe një ditë të tretë. Por, një grup punëtorësh që operojnë nën emrin Apple Together kanë shpërndarë një peticion duke i kundërshtuar urdhrat e Cook, duke thënë se një fleksibilitet më i madh do të nxiste diversitetin brenda kompanisë.

“Ne besojmë se Apple duhet të inkurajojë, jo të ndalojë, punën fleksibël për të ndërtuar një kompani më të larmishme dhe më të suksesshme ku ne mund të ndihemi rehat për të ‘menduar ndryshe’ së bashku”, thuhet në peticionin e Apple, sipas Financial Times. Apple Together  synon të mbledhë nënshkrime këtë javë përpara se t’i verifikojë dhe t’ia dërgojë ato drejtuesve të prodhuesve të iPhone.

Ndërkohë që Twitter dhe Facebook prezantuan politika në fillimin e pandemisë që lejuan stafin të punonte përgjithmonë nga shtëpia, Apple ka mbajtur qëndrimin e saj se priste që punonjësit të ktheheshin në zyrë.