Transmetuar më 26-08-2022, 07:33

Veç vaksinave, disa kompani prodhuan edhe variante alternative të luftës kundër Covid-19 siç janë edhe pilulat.

Por pilula që Pfizer ka zhvilluar kundër COVID-19, zbulohet se paraqet shumë pak ose aspak dobi tek të rriturit e moshës 40-65 vjeç.

Hulumtimet gjithëpërfshirëse të publikuara në revistën “The New England Journal of Medicine”, kanë rritur dyshimet lidhur me efektet e pilulës “Paxlovid” të zhvilluar nga Pfizer dhe që përdoret në luftimin e COVID-19 në shtëpi.

Në kuadrin e hulumtimit, pilula për COVID-19 është testuar tek mbi 109 mijë të sëmurë në Izrael.

Paxlovid, kur merret menjëherë pas infeksionit, është vërejtur se ka pakësuar me 75 për qind shtrimet në spital për personat mbi 65-vjeç, normë kjo e cila është në përputhje me rezultatet në SHBA dhe vendet e tjera.

Por theksohet se pilula nuk ka treguar dobi të konsiderueshme tek të rriturit 40-65 vjeç.

Në një hulumtim në fillim të kësaj vere, Pfizer kishte deklaruar se Paxlovid nuk ka siguruar dobi serioze mbi të rriturit e shëndetshëm të vaksinuar dhe të pavaksinuar. Por rezultatet në fjalë nuk janë publikuar ende në një revistë mjekësore.

Që kur Paxlovid u miratua për përdorim, në SHBA janë shkruar mbi 3,9 milionë receta për ilaçin që merret 2 herë në ditë për 5 ditë.