Transmetuar më 01-09-2022, 09:07

KOSOVË- Nisi sot viti i ri shkollor në Kosovë. Por ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit sistemi arsimor është përfshirë nga një krizë pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) e drejtuar nga Rrahman Jasharaj ka ftuar mësimdhënësit që të bashkohen në një grevë.

Sipas sindikatës arsyeja është se mësimdhënësit po përballen me vështirësi financiare dhe gishtin e drejtojnë nga qeveria e cila prej disa kohësh nuk ka rritur pagat e tyre. Ndërkohë Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje mësimdhënëseve që ta injorojnë grevën e SBAShk’ut pasi sipas tyre kjo do të jetë në dëm të nxënësve.

Përpos faktit që pagat nuk janë rritur disa prej arsimtarëve ende nuk kanë marrë pagën e gushtit dhe kjo sipas Ministrit të Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati është për shkak të kohës që kërkon procedura e llogaritjes së tyre.

“Sot është bëtë vetëm pjesërisht ekzekutimi i pagave, për shkak se procesimi dhe përgatitja e llogaritjes së pagave merr kohë. Mirëpo siç e dini që greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK, ka kriju nevojën që të procesohen edhe llogaritjet nga ato organizata buxhetore që ndikohen nga greva e shpallur dhe marrë parasysh që sipas ligjit detyrimi i punëdhënësit gjatë kohës sa punëtori është në grevë, pezullohet, ne kemi marrë për detyrë që të përditësohen listat e pagave”, ka thënë Murati gjatë një konference për media.

Nuk ka munguar dhe reagimi i ashpër i opozitës ku kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti që të ndalë këtë marrëzi. Ndërkaq, Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, veprimin e Qeverisë për mosekzekutim të plotë pagash e ka cilësuar “paaftësi për të gjetur zgjidhje”, duke shtuar se “Kosova është duke e përjetuar situatën më të rëndë të pasluftës”. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “ky shantazh jodemokratik është akt i shëmtuar politik”.

Në anën tjetër, Këshilli i Prindërve i Kosovës, përmes një deklarate në Facebook të mërkurën, kanë kërkuar nga Qeveria dhe Sindikata që të dialogojnë pasi sipas tyre, nga kjo situatë më së shumti dëmtohen fëmijët dhe prindërit.

“Lusim të dyja palët që të lëvizin nga qëndrimet aktuale dhe t’i japin mundësi dialogut”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Deri tani mbetet ende një mister sesi do të vijojë situata dhe a do të nisë procesi mësimor ditën e sotme si çdo vit, nga qeveria ende nuk ka patur një reagim në lidhje me këtë ngërç.