Transmetuar më 05-09-2022, 13:08

Irlandë- Një ngjarje mjaft e trishtë vjen nga Dublini. Dy binjakë binjakë 8-vjeçarë u vranë me thikë.

Chelsea dhe Christy Cawley u hodhën më pas nga dritarja e katit të sipërm të një shtëpie në Tallaght, vonë të shtunën mbrëma.

Edhe motra e tyre 18-vjeçare, Lisa Cash, ka mbetur e vrarë teksa tentoi që të mbronte të miturit. Ndërkohë thuhet se ka qenë vëllai i tyre 14-vjeçar, ai që ka arritur të lëshojë alarmin.

I mituri është duke u trajtuar në spital për shkak të plagëve të marra gjatë mbrëmjes së të shtunës.

Lidhur me ngjarjen shokuese, fqinjët janë shprehur se kanë dëgjuar ulërima që vinin nga shtëpia dhe një grua që bërtiste “më ndihmo, më ndihmo”, raporton noa.al duke cituar “Irish Mirror”.

“Ishte një gjakderdhje dhe ata fëmijë të varfër nuk patën asnjë shans. Skena ishte e tmerrshme dhe të tre viktimat pësuan vdekje të dhunshme”, ka thënë një burim për “The Sun”.

Detektivët besojnë se Lisa u vra e para kur u përpoq që të ndalonte vrasësin me thikë që të shkonte drejt binjakëve. Ndërsa vëllai i tyre ishte në gjendje që të arratisej dhe të thërriste për ndihmë.

I dyshuar është një 25-vjeçar i cili është arrestuar në vendin e ngjarjes.

Nga ana tjetër mësohet se nëna e fëmijëve nuk ishte në banesë në momentin e sulmit, por ka nxituar për në shtëpi në përpjekje për të shpëtuar fëmijët e saj.

“The Sun” shkruan se vendi i ngjarjes mbetet i bllokuar dhe vijon ekspertiza mjeko-ligjore.

Policia po kryen hetime dhe po përpiqet të përcaktojë motivin e vrasjeve shokuese.