Transmetuar më 27-09-2022, 11:01

TIRANË- Ish-deputeti dhe ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë në qeverinë Berisha, Genc Ruli, ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për tu marrë në pyetje. Ruli po merret në pyetje si person që ka dijeni në lidhje me aferën e privatizimit të ish-klubit Partizani. Pritet dalja e ish-ministrit nga ambientet e organit të akuzës për të mësuar më shumë detaje në lidhje me intervistën para prokurorëve të posaçëm.

Një ditë më parë u mor në pyetje ish-gjenerali Vladimir Qirjazi, si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit dhe për veprimet që ka kryer gjatë periudhës që i është dorëzuar shkresa për ish-kompleksin Partizani. Në përfundim të marrjes në pyetje nga SPAK, ish-gjenerali Qirjazi foli para mediave dhe tha se ai vetë ka kryer çdo procedurë që i është konsideruar ligjore. Ndër të tjera, Qirjazi shtoi se firmën nuk ia ka kërkuar askush, por një shkresë e dërguar nga Ministria e Mbrojtjes që në atë kohë drejtohej nga Gazmend Oketa, person i marrë në pyetje gjithashtu nga Prokurorët e Posaçëm.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa është marrë gjithashtu në pyetje nga SPAK. Ai pretendon se nuk ka shkelur ligjin, por pa dhënë më shumë detaje. Fatmir Mediu është pyetur gjithashtu, ndërkohë që pritet që në zyrat e SPAK të shkelë dhe vetë kryedemokrati Sali Berisha e dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi.

Kallëzimi penal për këtë çështje është bërë më 17 nëntor 2020 nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Balla ka ngritur padi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, të cilët i akuzon si përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Çështja është regjistuar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon ‘pastrim të produkteve të veprës penale’.