Transmetuar më 30-09-2022, 09:38

SHBA- Makina McLaren P1 është mbuluar nga uji në Florida, pasi uragani Ian goditi vendin. Stuhia ka shkatërruar shtetin në 24 orët e fundit, duke lënë vendin në një gjendje të jashtëzakonshme.

Pronari i supermakinës me ngjyrë të verdhë, i quajtur Ernie, postoi foto në Instagram duke treguar se mjeti ishte në garazhin e tij kur niveli i ujit filloi të rritet, duke bërë që makinat e tij të kalojnë nëpër derën e garazhit.

Në njërën prej fotove, të cilën i apasionuari i supermakinave duket se e ka bërë pas pastrimit të motit të keq, një tjetër makinë në koleksionin e tij, një Lamborghini blu, shihet e përmbysur plotësisht pranë McLaren.

Shumë nga ndjekësit e Ernit ndanë dhimbjen e tyre për fatkeqësinë e tij duke i dhënë kurajo. “Më vjen shumë keq, fotografia më thyen zemrën”, ka shkruar një përdorues, ndërsa disa janë munduar ta ngushëllojnë duke theksuar se të paktën është mirë me shëndet dhe se dëmi që ka pësuar është vetëm material.

Megjithatë, ka pasur edhe nga ata që kanë shfrytëzuar rastin për të bërë shaka , duke iu referuar një postimi të mëparshëm të tij, para se të godiste cikloni.

“Makina ime e furnizimit me uragan”, shkroi Ernie në një postim dy ditë më parë, nën një foto të McLaren-it të tij plot me sende ushqimore.