Transmetuar më 08-10-2022, 13:49

SERBI- Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka pranuar publikisht se Serbisë i ofrohet hyrje e përshpejtuar në BE dhe përfitime ekonomike nëse e lë Kosovën në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Në një konferencë për shtyp ai ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi si dhe kushteve të vendosura nga ndërkombëtarët për vijimin e tij.

Sipas Blic, Vuçiç pranoi hapur se nga ndërkombëtarët Serbisë i është premtuar përshpejtim i integrimit në BE dhe ndihma të konsiderueshme ekonomike në shkëmbim të aderimit të Kosovës në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

"Pozicioni ynë po bëhet gjithnjë e më i komplikuar sa i përket Kosovës. Vendet perëndimore do të përpiqen ta zgjidhin problemin me hyrjen e Kosovës në OKB dhe mendojnë se kështu i zgjidhin problemet evropiane dhe e dyta është se duan t’ia heqin argumentin Vladimir Putinit nga duart. Sa i përket vetë letrës, thelbi është se Serbia e lejon Kosovën të hyjë në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe në Kombet e Bashkuara. Për këtë, ajo do të kishte hyrje të shpejtë në BE dhe ndoshta përfitime të konsiderueshme ekonomike" – tha Vuçiç.

Vuçiç pranoi propozimin e bërë ngta Gjermania dhe Franca me anë të këshilltarëve të presidentit Macron dhe kancelarit Scholz rreth një muaj më parë gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në prani të emisarit Miroslav Lajçak.

"Sot kemi në tryezë një propozim nga Gjermania dhe Franca. Nuk mund të flakësh një propozim që vjen prej tyre, po ashtu nuk jam i sigurt nëse mund ta pranojmë. Ata po na kërkojnë që ta lëmë Kosovën në OKB”- shtoi Vuçiç.

Siç shtoi ai, gabimi i tyre më i madh ishte se pranuan që BE-ja të menaxhojë procesin e zgjidhjes së problemeve të Kosovës gjë që solli në këtë pikë të dialogut. Ai shtoi se edhe problemet me Kosovën janë të reja dhe kanë të bëjnë me sulmet ndaj popullatës serbe. Ai përmendi edhe ardhjen e një numri të caktuar trupash në Kosovë.

“Kjo do të thotë se nuk bëhet fjalë për respektim të Rezolutës apo diçka tjetër, por se politika e forcës është ajo që duhet respektuar”, tha presidenti i Serbisë.

Ai shtoi se pritet që në fillim të nëntorit të merret vendimi për fillimin e procedurës për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

"Këto nuk janë të gjitha veprime ad hoc, janë të planifikuara. Ne duhet ta mbrojmë integritetin tonë territorial, perspektivat tona janë të pakta dhe tani nuk ka asnjë vendim në lidershipin serb për të pranuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB" shpjegoi Vuçiç, duke shtuar se në fund duhet të përballen me të gjitha këto.

Një propozim i ri thuhet se ka shkuar në tryezën e Kurtit dhe Vuçiç përsa i takon vijimit të dialogut Kosovë-Serbi nga këshilltarët e Macron dhe Scholz. Në thelb flitet për modelin e dy gjermanive i cili do të nënkuptonte se Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës, por nuk e njeh zyrtarisht atë, kjo nënkupton edhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Në këmbim të këtij veprimi Serbisë do ti lehtësohej procesi i integrimit drejt BE si dhe do ti jepen ndihma të mëdha financiare.