Transmetuar më 08-10-2022, 16:59

Hong Kong-u do të dhurojë 500.000 bileta falas për turistët në një përpjekje për të rritur numrin e vizitorëve pasi rënia e tyre ka qenë me dhjetëra miliona në vit që nga pandemia e Covid.

Biletat falas me vlerë 225 milionë paund do të jepen për të inkurajuar udhëtarët që të vizitojnë vendin pasi autoritetet të heqin të gjitha kufizimet e koronavirusit. Fushata globale pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm.

Bordi i turizmit në Hong Kong do të menaxhojë fushatën reklamuese ndërsa autoriteti i aeroportit do të shpërndajë biletat falas. Dane Cheng, drejtori ekzekutiv i bordit të turizmit në Hong Kong ka thënë se autoriteti i aeroportit vendosi mënjanë 2 miliardë dollarë Hong Kongu në vitin 2020 për të blerë rreth 500,000 bileta nga disa linja ajrore lokale. Kjo me qëllim promovimin e industrisë së turizmit të qytetit sapo të lehtësohej pandemia. Skema e nxitjes së turizmit do të fillojë duke synuar vizitorët nga Azia por nuk përjashtohen turistët nga vendet e tjera.

Para pandemisë, në vitin 2019, 56 milionë njerëz vizituan Hong Kongun, ndërsa vetëm 184,000 vizitorë u numëruan në tetë muajt e parë të këtij viti. Deri kohët e fundit, qyteti, i cili ndoqi politikat strikte të Kinës për Covid-in, kishte disa nga kufizimet më të ashpra në botë.