Transmetuar më 20-10-2022, 10:09

Prej disa muajsh bota ka filluar të mendojë se pandemia po largohet, por një tjetër nënvarianti i ri i Omicron shumë infektues, ai BQ.1, ka rritur shqetësimin e ekspertëve për të mos e injoruar.

Shefja e kontrollit të sëmundjeve infektimeve në ISHP (Instituti i Shëndetit Publik), Silva Bino, ka deklaruar se zbutja e pandemisë nuk do të thotë të fikim sistemet e alarmit, por të mbajmë nën kontroll infektimet përmes vaksinimit.

“Pandemia është zbutur, por nuk ka mbaruar. Një nënvariant i ri, i quajtur BQ.1, i cili është një pasardhës i BA.5 të variantit Omicron, është aktualisht versioni dominues i SARS-CoV-2 në SHBA me 11% të rasteve.

Ky nënvariant shumë infektues ka rritur shqetësimin global pasi po përhapet me shpejtësi edhe në Gjermani dhe Angli.

Covid do të vazhdojë të qarkullojë gjatë dhe për momentin nuk mund të çrrënjoset, por vetëm të kontrollohet”, tha Bino.

Silva Bino thotë se kjo është koha më e mirë për t’u vaksinuar, për të përballuar një dimër me surpriza si në drejtim të Covid ashtu edhe në atë të gripit, që është gjithashtu i paparashikueshëm.