Transmetuar më 20-10-2022, 13:09

Redaksionale NOA

Në deklarata të përsëritura të ditëve dhe orëve të fundit, kryeministri Edi Rama po përpiqet të sigurojë pedagogët se shashka që hodhi pak ditë më parë nuk do të plasë dhe ata nuk do t’i nënshtrohen vetingut.

Por çfarë është e gjitha kjo?

Prej disa javësh, sindikata e universiteteve publike ka kërkuar rritje 50 për qind të pagës së pedagogëve, me ndarjen 30 për qind më 2022 dhe 20 për qind më 2023.

Ajo argumenton se pedagogët nuk kanë marrë kurrë indeksim dhe as rritje page që prej 17 vjetësh dhe pohojnë se kanë rrogat më të ulëta në rajon.

Kur po afronte nisja e vitit të ri akademik, Rama doli me "shpatë" kundër ultimatumeve dhe lëshoi shashkën që synonte frenimin e grevës. Ai paralajmëroi se do të ketë kontroll të pasurisë së pedagogëve dhe parave në të zezë.

Viti akademik nisi dhe aty-këtu ka mësim e diku jo. Disa orë bëhen e të tjera jo, sepse pedagogët janë ndarë në pro sindikatës dhe pro rilindjes.

Tani, situata është bërë kaotike. Në ndihmë të pedagogëve u afrua opozita e cila nisi protesta dhe thotë se do t’i përshkallëzojë ato. Në qendër të kritikave ishte vetingu që shihet nga pedagogët dhe opozita si mjet hakmarrjeje dhe shantazhi nga Rama.

E vërteta është se vetingu sigurisht që mund të jetë mjet shantazhi. Por përse të mos bëhet? Përse të mos kontrollohet pasuria që kanë vënë një numër pedagogësh, duke marrë para nga të mundin?

Është e qartë se këtu ka një ndarje në dy kampe të pedagogëve, në ata që ja ë zhytur në afera korruptive, ryshfeti dhe mitmarrjes dhe ata që janë të qetë se kanë mbyllur muajin me pagën e tyre.

Këta të fundit nuk kanë frikë nga vetingu. Kurse pala e parë, ka arsye të forta ti frikësohet kontrollit të pasurisë sepse kanë futur duart në xhepat e studentëve dhe familjeve të tyre me "tarifa" nga më të ndryshmet për të marrë provimet.

Në këtë vorbull, Rama duket se e hodhi shashkën, jo me qëllimin që të kontrollojë pasuritë e pedagogëve, por të krijojë rrëmujë mes tyre nga njëra anë dhe diskretituar publik të palës së korruptuar nga ana tjetër.

Me këtë strategji, Rama mund të dalë i fituar, siç ka dhe synimin, por të rinjtë e universiteteve dhe familjet e tyre, jo. Sepse pedagogët që marrin para do të vazhdojnë ta bëjnë këtë dhe ata që janë deri tani të papërlyer, me rrogat mjerane, koston e shumërritur të jetesës dhe presionin nga veteranët e mitmarrjes, mund të ndikohen e tundohen, duke mos sjellë gjë tjetër veçse një shkatërrim strategjik të arsimit të lartë shqiptar. /noa.al