Transmetuar më 30-11-2022, 11:02

BRUKSEL- Merret vendimi. Ambasadorët e shteteve anëtare në BE ranë dakord sot për një mandat të Këshillit për të negociuar një rregullore për udhëtimin pa viza për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Në bazë të mandatit të përmendur, Presidenca do të nisë negociatat me Parlamentin Evropian.

"Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë të arrijmë shpejt një marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është i mundur falë përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollet kufitare, menaxhimin e migracionit dhe sigurinë dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë do të intensifikohet në të ardhmen."-tha ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky.

Sipas KE, projektrregullat do t’u mundësonin mbajtësve të pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë prej 90 ditësh brenda çdo periudhe 180 ditore. Sipas qëndrimit të Këshillit, përjashtimi nga viza do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast më së voni nga 1 janari 2024.

Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në të gjitha blloqet e planit të liberalizimit të vizave, duke përfshirë sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufijve dhe migracionit, rendin dhe sigurinë publike, dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes. Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi i vizave do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të mbulohet nga i njëjti regjim vizash.

Komisioni do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive përmbushjen e këtyre kërkesave përmes mekanizmit monitorues në periudhën pas liberalizimit të vizave.