Transmetuar më 06-12-2022, 10:04

Një video tronditëse është shfaqur në internet, ku kapet Samuel Eto’o duke sulmuar një tifoz të panjohur jashtë stadiumit, pas ndeshjes së Brazilit në Kupën e Botës kundër Koresë së Jugut. Eto’o mësohet se ka qenë pjesë e mijëra personave që u mblodhën në “Stadium 974” për të parë sfidën e 1/8 finale të së hënës mbrëma.

Megjithatë, legjenda e Barcelonës duket se e humbi gjakftohtësinë e tij menjëherë pas ndeshjes, me një video tashmë “virale” që po bën xhiron e rrjeteve sociale. Aty shfaqet duke sulmuar dhe madje goditur me shkelm një person që po e filmonte në parkingun e makinave.

Sipas “Daily Mail”, ish-sulmuesi në fillim ka qenë i buzëqeshur, teksa ka pozuar me fansat në pritje teksa po dilte nga stadiumi. Por gjërat u acaruan shpejt kur një tifoz, me celularin e tij duke filmuar, u afrua në të djathtë të tij.

Në video, të dy mund të shihen duke shkëmbyer fjalë përpara se Eto’o të vendoste të përballej fizikisht. Mbetet e paqartë se çfarë u tha për ta zemëruar kaq shumë Eto’o, me presidentin e Federatës Kamerunase të Futbollit që reagoi me tërbim, përpara se të fillonte ta shtynte dhe godiste tifozin.

Me situatën në dukje duke i dalë jashtë kontrollit, disa shikues u futën në përpjekje për ta shuar sherrin. Pavarësisht se të paktën katër burra u shfaqën për të mbajtur Eto’o, ish-futbollisti arriti të shpërthejë dhe vazhdoi ta godasë tifozin, duke e hedhur përtokë.