Transmetuar më 06-12-2022, 11:40

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis mësohet të ketë deklaruar para samitit në Tiranë se ka një marrëveshje me Edi Ramën për çështjen e detit, siç raporton RTSH.

Kreu i qeverisë greke theksoi se tani ai është optimist që çështja e detit me Shqipërinë do të zgjidhet dhe vlerësoi se palët janë të fokusuara në zhvillimin e një dialogu.

“Po i referohesha kësaj çështjeje dhe ne tentojmë që të zhvillojmë dialog mes dy vendeve pasi është një çështje komplekse. Kam marrë sigurimin se dhe kryeministri kërkon ta zgjidhë këtë çështje dhe kemi një marrëveshje dhe jemi optimistë”, tha Mitsotakis, pa detajuar se për çfarë marrëveshjeje bëhet fjalë.

Sakaq, agjencia shtetërore e lajmeve greke citon kryeministrin grek të ketë thënë se "është shënuar progres në çështjen e delimitimit të zonës ekonomike detare dhe besoj se po i afrohemi momentit kur do të firmosim marrëveshjen përkatëse të bashkëpremtimit për t’ia referuar çështjen, gjykatës ndërkombëtare në Hagë”. Duket se kjo është marrëveshja e arritur me Ramën, që të shkohet me angazhim të përbashkët në Hagë për të zgjidhur çështjen e detit.

Kyriakos Mitsotakis këmbënguli se Greqia ka dëshmuar se mund të zgjidhë çështje të tilla të pazgjidhura bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe siç tha ai, "këtë do të kërkojmë të bëjmë edhe në këtë rast", citon noa.al e cila ka monitoruar deklaratat e kreut të qeverisë greke.

Mitsotakis pranoi se si kurrë më parë një zyrtar i lartë grek, këtë radhë nuk do të takohet me minoritarët. Ai tha se shkak për këtë është moti.

"Shpreh keqardhjen që për shkak të parashikimeve të situatës së motit nuk do të mund të vizitoj zonat ku jetojnë pjesëtarët e minoritetit grek. Ne do ta bëjmë këtë vizitë sa më shpejt që të jetë e mundur. Dua t’i vizitoj mërgimtarët tanë”, tha kryeministri.

Për sa i përket perspektivës së integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, z. Mitsotakis shprehu kënaqësinë e tij pasi siç tha ai, kjo është hera e parë që një Samit i tillë po mbahet në një vend kandidat për anëtarësim. Ai kujtoi faktin se i gjithë procesi ka nisur në Selanik në vitin 2003.

"Greqia vazhdon të mbështesë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor", vuri në dukje kryeministri.

Ndërsa për marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë, zoti Mitsotakis vuri në dukje se "vullneti ynë është të vëmë marrëdhëniet dypalëshe në rrugën e duhur për një qasje edhe më të madhe".

Më herët, dje, ishte parashikuar që sot në orën 18:00 Kyriakos Mitsotakis të takohet me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastas. Në orën 18:45 ai është planifikuar të ketë një takim me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla dhe në orën 19:30 me Presidentin e Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj.

Në orën 20:00 kryeministri grek do të takohet me homologun e tij shqiptar Edi Rama. Më pas ai do të ulet në një darkë pune të shtruar nga zoti Rama.

Të mërkurën, më 7 dhjetor, kryeministri do të vizitonte Himarën, Livadhin dhe Derviçanin, ku ishte planifikuar të bënte takime me anëtarë dhe përfaqësues të pakicës kombëtare greke.