Transmetuar më 15-01-2023, 18:51

Andrea Dervishi, 43-vjeçari, i cili u shpëtua sot nga Policia pasi mbeti i bllokuar në një shpellë midis shkëmbinjve, në vendin e quajtur ‘Kalaja e Tërvolit’ në Gramsh. Por pretendon se nuk po kërkonte thesar, por kishte shkuar për eksplorimin e natyrës. Në një intervistë për mediat, 43-vjeçari rrëfeu po ashtu se për t’u ngrohur kishte ndezur një zjarr dhe kishte njoftuar Policinë dhe se ishte një eksperiencë shumë e frikshme.

"Më pëlqesh natyra, pikturoj, doja të eksploroja, është vend i bukur e kam parë edhe në TV e shkuam, por ngelëm aty dhe na ndihmoi Policia. Zbritëm poshtë, por nuk kishim mundësi që të ngjiteshim sërish lart. Ishte shumë e frikshme. Ishte 100 m thellësi pastaj u bllokova, pastaj njoftova Policinë. Kam qëndruar me zjarr sepse ishte ftohtë. Ishte e pamundur se nuk kishte valë telefoni. Erdhi grupi gatshëm dhe zbritëm poshtë. Nuk ka lidhje pwr kwrkim monedhash, njerëzit flasin shumë. Thjesht më pëlqen natyra, tani që e di ishte e frikshme. Por kur e shihje nga televizori ngjante diçka e bukur. Falënderoj Policinë e Gramshit dhe grupin RENEA më kanë ndihmuar jashtë mase se nuk do kisha dalë gjallë. Me zjarr u ngroha, nuk kisha frikë. Kush do të shkojë atje, duhet ta mendojnë dy herë para së të futen. Kisha vetëm ftohtë nuk kisha probleme. Nuk ma merr mendja se do të shkoj sërish,"- tregoi ai para kamerave.

Andrea Dervishi shkoi në Kalasë së Tërvolit për të gjetur ar dhe jo vetëm, bashkë me shokët e tij, pasi kishin dëgjuar dhe besuar një legjendë. Ka një legjendë që thotë se kur mbretëreshë Teuta po humbiste luftën me Romën u tërhoq në malet mes Gramshit dhe Pogradecit dhe thuhet se aty fshehu thesarin e saj. Gojëdhënat flasin për një vend ku u fshehën ar, argjend, stoli dhe gurë të çmuar, që u ngarkuan me 40 munshka dhe u fshehën. Fillimisht u devijua rrjedha e lumit e u gropos thesari, më pas u vendos muri i kalasë, e më pas ridevijuan rrjedhën e lumit. Legjenda është transmetuar brez pas brezi, por deri më sot nuk ka pasur asnjë të dhënë se legjenda është e vërtetë.

I ati i Andrea Dervishit, i cili u gjet pas 18 orësh i bllokuar në shpellën e Gramshit është shprehur se djali i tij është aventurier. Në një intervistë për mediat, ai apeloi që asnjë të mos provonte të ndërmerrte aventura të rrezikshme, pa e njohur terrenin.

“Djali im bashkë me shokët është eksplorues i maleve. Qejfi i tij është aventura. Arriti ngeli 300 m në greminë, falë Policisë së Shtetit, forcave të RENEA që arritën ta shpëtonte. Për mua është kthim i dytë në jetë. Nuk kishte më keq se mediat jepnin version tjetër dhe e vërteta ishte ndryshe. Dua të them që më afër realitetit ishin forcat e RENEA-s, nata ishte shumë e vështirë për mua, me shumë të papritura, mendoja shumë gjëra të padëshirueshme por zoti më ndihmoi. Do i thosha eksploruesëve që të mos shkoni atje ku nuk ua pret mendja se rrezikoni jetën. Rrisku i djalit tim që shpëtoi,”- tha i ati.