Transmetuar më 24-01-2023, 08:10

Policia greke ka nisur hetimet për gjetjen dhe arrestimin e 37-vjeçarit me origjinë shqiptare që pasditen e së premtes akuzohet se rrahu dhe qëlloi për vdekje 47-vjeçarin K.P., në qendër të Kalamatës.

Viktima njihej në Mesini me pseudonimin “Amerikani” dhe ishte akuzuar një vit më parë për trafik droge dhe dokumente të falsifikuara. Ai ishte shtetas grek me shtetësi edhe amerikane.

Tre arrestime

Tashmë tre persona janë arrestuar nga EL.AS, mes tyre edhe personi që ndodhej me 37-vjeçarin shqiptar.

Ky është një 22-vjeçar gjithashtu nga Shqipëria. Të arrestuarit janë dërguar në prokurorinë e Kalamatës.

A fshihet i kërkuari në mal?

Pas vrasjes, 37-vjeçari fillimisht ka braktisur mjetin e tij në zonën e Kitries, gati 17 kilometra larg vendit të krimit.

Më pas ka shkuar në këmbë në kafenenë e një të njohuri të zonës, i cili i ka dhënë rroba dhe ushqime të reja.

Të njëjtat burime raportojnë se pas këtij takimi, ai është ngjitur në mal, ku autoritetet besojnë se ka gjetur një vendstrehim për të paktën 24 orët e para në kushte jashtëzakonisht të vështira atmosferike.

A donte ai ta vriste?

Oficerët e Sigurimit të Kalamatës po shqyrtojnë seriozisht mundësinë që autorët e vrasjes së 47-vjeçarit të mos kenë dashur të vrasin “amerikanin”.

Ata besojnë se 37-vjeçari i shpallur në kërkim e ka qëlluar vetëm një herë në këmbë 47-vjeçarin për ta plagosur, por plumbi ka goditur arterien qendrore, duke i shkaktuar vdekjen nga gjakderdhja e pakontrolluar.

Fakti që ai përdori mjetin e tij për të ikur, tregon se të paktën nuk e kishte planifikuar.

Autoritetet kanë nisur kërkimet për kapjen e autorit, kanë ngritur postblloqe në pjesët qendrore të zonës dhe besojnë se është vetëm çështje kohe arrestimi apo edhe dorëzimi i 37-vjeçarit. /noa.al