Transmetuar më 26-01-2023, 12:39

Numri i rasteve të kovidit ra ndjeshëm në Kinë në muajin e parë të vitit 2023, sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga autoriteti i kontrollit të sëmundjeve.

Shumë nga shifrat kanë rënë nën nivelet para optimizimit të politikës së parandalimit dhe kontrollit të kovid, duke shfaqur një prirje të qartë mëkëmbjeje.

Vizitat ditore në klinikat e etheve arritën në 2.86 milionë më 23 dhjetor, dhe më pas ranë me 97.8 për qind, duke arritur në rreth 63 mijë të hënën, sipas Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

Numri i pacientëve me kovid të shtruar në spitale në tërë pjesën kontinentale të Kinës ra me 84.8 për qind, duke arritur në 248 000 të hënën, nga 1.62 milionë më 5 janar.

Edhe rastet e rënda u pakësuan me 72 për qind, duke arritur nga 128 000 më 5 janar në 36 000 të hënën.

Numri i vdekjeve ditore ra me 79 për qind, treguan të dhënat e CDC-së.

Forcimi i masave në zonat rurale

Deri më 19 janar, qeveria kineze ka pajisur falas mbi 600 000 klinika fshati në tërë Kinën me 1.17 milionë pulsoksimetra, të cilat janë pajisje kyçe për mjekët që të identifikojnë rastet e rënda të kovid në një fazë të hershme.

Pajisjet e tjera mjekësore të rëndësishme, që përfshijnë ventilatorët dhe oksigjenimin me membranë jashtëtrupore, të quajtur edhe si ECMO, janë të mjaftueshme në përgjithësi për trajtimin e rasteve të rënda, u shpreh Jiao Yahui, kreu i Departmentit të Administrimit Mjekësor në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë (NHC).

Përveç kësaj, organe të ndryshme qeveritare, si Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit dhe Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë, po përpiqen të ofrojnë më shumë analgjezikë me molekula të vogla, ose barna për uljen e temperaturës, në zonat rurale.

Kina po përfiton edhe nga aleanca e vet shëndetësore, e themeluar në vitin 2018, për të shtuar furnizimin me barna dhe për të forcuar aftësinë e trajtimit të të sëmurëve nga kovidi në spitalet dhe klinikat në zonat rurale.