Transmetuar më 22-02-2023, 18:00

Policia greke ka identifikuar të paktën tre nga shtatë personat, që të gjithë shqiptarë, të cilët mbrëmjen e djeshme u përfshinë në një përplasje të përgjakshme që përfundoi me vdekjen e një shqiptari tjetër që nuk kishte asnjë lidhje me ta.

Pëllumb Islami, 37 vjeç, emigrant prej vitesh në Greqi, punonte si hidraulik në Nea Ionia, Athinë dhe mbrëmjen e djeshme gjendej në një nga tavolinat e lokalit duke parë ndeshje futbolli.

Në orën 23.40, në lokal u mblodhën shtatë shqiptarë të tjerë të cilët nisën të përplasen mes tyre.

Në fotot po shikoni tre nga të dyshuarit, tashmë në kërkim. Policia ka frikë se ata mund të jenë arratisur në Shqipëri.

Autoritetet thanë se të dyshuarit janë anëtarë të një bande të njohur për policinë.

Ai përbëhet nga rreth 10 persona, me kombësi shqiptare, të cilët janë aktivë gjatë natës në rastet e zhvatjes, trafikut të drogës dhe trafikut të qenieve njerëzore.

Zona e tyre e veprimit është qendra e Athinës, pranë stacionit të Larisës, ndërsa selia e tyre është një klub në Sepolia, nga ku banda ka marrë edhe emrin.

Sipas hetuesve, banda ka lidhje me kriminelë brenda burgjeve.

Të shtënat në kafenenë në Nea Ionia duket se kanë ndodhur pas një sherri mes bandës dhe tre personave të tjerë, gjithashtu shqiptarë, me të cilët ka pasur fërkime për një arsye ende të panjohur.

Pasi plumbat kapën 37 vjeçarin Pëllumb Islami që shihni në foton më lart, banda u shpërnda duke ikur me një fuoristradë.

Përmes kamerave të sigurisë u identifikua edhe targa dhe më në fund u lokalizua sot në mëngjes në zonën e Gyzit.

Në videon e mëposhtme që ju sjell noa.al, shihet mjeti konkret duke u larguar nga vendi i ngjarjes siç është regjistruar nga kamera e sigurisë.

Mjeti tashmë është dërguar në laboratorët e mjekësisë ligjore të policisë greke për kontroll të mëtejshëm në hetimet që po kryhen për gjetjen e autorëve.

Informacionet bëjnë me dije se personat e përfshirë në sherr janë arratisur me një automjet të dytë.

Makina e tretë e autorëve, një xhip, është lënë jashtë kafenesë pasi autorët nuk kanë pasur kohë ta marrin.

Nga hetimet e deritanishme, makina konkrete duket se është marrë me qira nga një kompani e panjohur e makinave me qira.