Transmetuar më 02-03-2023, 05:50

Projektvendimi i qeverisë shqiptare, auditim teknik për të gjitha objektet të cilat kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar. Përfshihen të gjitha godinat publike dhe private për të bërë një kontroll të cilësisë dhe sigurisë së tyre. Nëse s’janë të sigurta, do të prishen

TIRANË, NOA.AL – Ankth, pasiguri, por edhe shanse për përfitim, të gjitha këto janë dilemat që kanë përfshirë qindra mijë shqiptarë, pasi qeveria po tenton të kalojë në sitë 123 mijë pallate të ndërtuara para viteve ’90, duke deklaruar se synon të rikonstruktojë ose shkatërrojë ato që nuk e kalojnë auditin teknik. Drafti përfshin edhe godinat publike.

Projektvendimi i qeverisë sugjeron se të gjithë objektet, që kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar do të duhet t’i nënshtrohen auditimit teknik, që do të konsistojë në kryerjen e ekspertizës së thelluar për të vlerësuar gjendjen teknike aktuale dhe kapacitetin mbajtës të objekteve. Ndërkohë që, në rast se vlerësohet se objekti nuk përmbush kushtet teknike, i hapet rruga riparimit ose prishjes.

Të paktën 122 690 ndërtesa për qëllime banimi do të preken nga vendimi për auditimin teknik, që parashikon qeveria. Kjo shifër përfshin ato objekte që kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, por edhe plot godina shtetërore. Praktikisht në godinat e banimit që tentohet të auditohen, jetojnë afro gjysma e shqiptarëve.

Numrin më të lartë të këtyre ndërtesave e ka Tirana, Elbasani dhe Korça, e më tej, Fieri, Vlora dhe Shkodra.

Ajo që bie në sy menjëherë në këtë draft qeverie, është se pallatet dhe godinat e të banimit konsiderohen objekte, duke u anashkaluar termi pronësi. Gjithashtu nuk ka asnjë parashikim për truallin dhe për më tepër, ligji ku qeveria thotë se bazohet, nuk e parashikon një proces të tillë.

Projektvendimi është hartuar nga strukturat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që thotë se dokumenti bazohet në ligjin “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”. Megjithatë, në asnjë nen të këtij ligji nuk parashikohet një proces i tillë.

Qeveria thotë se subjektet që do të bëjnë auditimin teknik të objekteve do të përzgjidhen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe jo nga vetë pronarët e objekteve. Më pas, auditimet teknike do të dërgohen në Institutin e Ndërtimit që do të bëjë oponencën e tyre: “Instituti i Ndërtimit me kryerjen e oponencës jep mendimin e tij, i cili mbizotëron mbi aktauditimin teknik dhe zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet përgjegjëse”, – thuhet në projektvendim.

Gjithnjë sipas draftit, pas kësaj faze, analizohet kostoja financiare dhe bëhet kualifikimi i objekteve nëse do të riparohen apo do të shkatërrohen për rindërtim.

Këtu ka dhe një tjetër parashikim: Nëse vlera financiare për riparim është gati e ngjashme ose më e madhe se rindërtimi, do të procedohet me shkatërrimin e objekteve.

Në këtë pikë, qeveria nuk specifikon se çfarë do të ndodhë me truallin e godinës dhe pronarët e tyre.

Ky plan i qeverisë ngjan shumë me procesin që u ndoq pas 26 nëntorit 2019, kur godinat e prekura nga tërmeti u përfshinë nga rindërtimi, proces që u shoqërua me akuza të pronarëve për grabitje prone.

Çfarë thonë instancat shtetërore 

Zëvendësministrja e Infrastukturës dhe Energjitikës, Enkelejda Muçaj dhe Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli në një dalje për mediat të mërkurën (1 mars) thanë se procesi do të jetë i gjatë në kohë dhe nuk është aksion.

Sipas tyre projektligji që ka për qëllim të auditojë godinat për të parandaluar kështu ndonjë fatkeqësi të mundshme, dhe nuk ka të bëjë direkt me shembjen e tyre. Godinat e ndërtuara para viteve 1975, pra që kanë mbi 50 vjet, do të inspektohen, më pas do të vlerësohet nëse do të kenë nevojë për ndërhyrje, shembje apo mund të rezultojë edhe të jenë brenda standardeve.

Në këtë mënyrë, pritet që të kalojnë në shqyrtim për prishje edhe godinat publike që janë në të gjithë vendin, si ministri, bashki dhe plot institucione të tjera publike. Të gjitha këto ndodhen kryesisht në zonat më të mira dhe më të lakmuara për të jetuar dhe për biznes dhe një prishje e mundshme e tyre do të sillte ethe përfitimi nga shumë njerëz.

Reagimi i ekspertëve 

Ekspertët nga organizata Drejtësi Sociale thonë se projekt-vendimi për auditimin teknik të ndërtesave 50 vjeçare ka ngritur me të drejtë alarmin e shoqërisë civile dhe qytetarëve. Sipas saj, arsyeja e shqetësimit është mënyra e formulimit të projekt-vendimit:

"Së pari, ndërtesat janë emërtuar objekte, duke i zhveshur ato nga karakteri pronësor. Më tej, ato ndahen në kategori, në varësi të përdorimit të tyre, që më tej jep idenë se nuk janë në pronësi të individëve, por ‘në përdorim’.

Së dyti, në asnjë pikë nuk qartësohet çfarë roli kanë qytetarët në procesin e auditimit teknik si pronarë të banesave dhe si do procedohet në rastet kur ndërtesat në pronësi të qytetarëve do duhet të shemben.

Nuk përcaktohet si do kthehet prona te pronari e as në bazë të cilave parametra do vendoset mënyra e rindërtimit të shtëpive nga e para.

Marrë parasysh rastet e shpronësimit të disa familjeve në rrugën Myslym Keta, ku banorët pas ndryshimit të papritur të statusit të pallatit nga një riauditim privat, u nxorën nga shtëpitë e tyre si të pastrehë dhe sot do përfitojnë në bazë të ligjit për shpronësim, dhe as do të marrin më shtëpi në zonën ku banonin, lind një dyshim. Dhe dyshimi është i bazuar në mangësi të jashtëzakonshme të projekt-vendimit".

Opozita: Vetëm në Tiranë, qeveria do të prishë 96 mijë godina

Opozita ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi. Kreu i saj nga procesi i rithemelimit Sali Berisha tha se vendimi i qeverisë do të prishë 96 mijë godina dhe ka si qëllim të vendosë qytetin, troje e banesa në dispozicion të klaneve të drogës, oligarkëve të tij.

Berisha tha për mediat se Rama dhe qeveria e tij, miratoi një vendim me të cilin ka qëllim të prishë 96 mijë banesa në Tiranë, duke shtuar:

"Pasi shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore të tërmetit tërësisht për pasurimin e tij dhe klikës së tij. Ju jeni dëshmitar se si është shfrytëzuar në Kombinat kjo fatkeqësi, tani nuk i durohet më, nuk pret më. Tani autorizoi veten, i dha vetes ‘karta bianka’ për të prishur çdo banesë që ai e konsideron fitimprurëse, ndërtimin në atë troje fitimprurës për veten dhe suitën e tij". /noa.al