Transmetuar më 18-03-2023, 14:20

Koha për ta metabolizuar suksesin ndaj Portos dhe kënaqësinë e kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pas 12 vitesh nuk ka qenë e duhura për Simone Inzaghi. Tashmë ekziston mundësia që Interi të prekë horizonte shumë të largëta. Megjithatë, është koha e derbit italian ndaj Juventusit në Serie A. Një ndeshje që do të thotë shumë për zonën Champions të sezonit të ardhshëm.

Trajneri Inzaghi doli në konferencë për shtyp dhe bëri këtë prognozë të supersfidës së planifikuar për nesër në mbrëmje në “San Siro”: “Ne e dimë se çfarë përfaqëson ndeshja me Juventusin për klubin, tifozët. Do të jetë një ndeshje mes dy skuadrave që po bëjnë mirë dhe kanë avancuar në Kupat e Evropës. Shpirt gare, agresion, vendosmëri; e tillë do të jetë kjo ndeshje.

Ne e konsiderojmë Juventusin një ekip të madh. Bardhezinjtë janë të kompletuar, të përbërë nga lojtarë shumë të fortë. Ne i respektojmë shumë, i sfiduam në ndeshjen e parë, do të jenë edhe dy ndeshjet e ‘Coppa Italia’. E dimë se sa e rëndësishme është përgatitja mendore, ndaj Juventusit akoma më shumë.

Kualifikimi në çerkefinale të Ligës së Kampionëve është një burim krenarie. Është ndeshja e fundit në fund të një periudhe intensive. Kemi lodhje dhe disa lëndime, por shikojmë nga Juventusi. Nuk duhet të shikojmë prapa. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, do të kemi një prill intensiv. Kemi luajtur 37 ndeshje, do të jenë edhe 16 të tjera të sigurta nga këtu deri në fund. Le të shpresojmë edhe disa të tjera. Do të më duhen të gjithë lojtarët në dispozicion.

Sigurisht që për nesër nuk do të kemi Skriniar, Gosens dhe Bastoni. Pastaj më duhet t’i vlerësoj disa lojtarë të tjerë sot, por kam besim. Nuk po mendojmë fare për çerekfinalet e Champions League. Si trajner, mendimi i vetëm tani është Juventusi. Jemi krenarë për atë që bëmë ndaj Portos, por fokusi është te kampionati. Jemi në ndeshjen e fundit të një cikli të tmerrshëm dhe duam ta luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Romelu Lukaku? Koha e tij e lojës po rritet. Ai ishte shumë i rëndësishëm së bashku me shokët për çerekfinalet e Champions League. Në ndeshjen e parë ndaj Portos shënoi, luajti në Spezia. Ai po punon në mënyrën më të mirë të mundshme. Duhet të bëj zgjedhje herë pas here, por jam shumë i kënaqur me Lukakun. Edhe Correa po stërvitet mirë prej 4 ditësh. Ne do të kemi nevojë për të gjithë.

Rreziqet që vijnë nga Juventusi? Duhet të neutralizojmë Di Maria. Ne të gjithë e dimë se çfarë lloj lojtari është ai. Një kampion bote, një kampion i Amerikës së Jugut. Ai është një kampion i madh. Pashë Juventusin duke luajtur me Kean dhe Vlahovic në minutat e fundit, një ekip i shkëlqyer. Ata gjithashtu kanë Chiesa, një potencial i madh”.

Allegri, duke llogaritur edhe 15 pikët penalizim, që në një të ardhme mund t’i rikthehen nga drejtësia sportive, tha se të tijtë janë në vendin e dytë të Serie A, në fakt. Vend të cilin e mban Interi në renditjen aktuale. Inzaghi nuk krijon polemika, por kërkon qartësi nga autoritetet sa më shpejt të jetë e mundur:

“Unë shikoj renditjen e tanishme. Ka procedura ligjore dhe organet janë duke vlerësuar. Mund ta përgëzoj Juventusin vetëm për kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Europës. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Kampionati dhe skuadrat që janë në vështirësi kanë nevojë për qartësi sa më shpejt të jetë e mundur”.