Transmetuar më 31-03-2023, 12:08

Kanë qenë disa momente frike të pastër në transmetim “live” për Sergio Agueron, ish-futbollistin profesionist që u sëmur papritur. Ndërsa komentonte në studio me Ibai Llanos, një nga transmetuesit më të rëndësishëm spanjishtfolës në botë të “Kings League”, Kun vuri dorën në zemër, qëndroi i heshtur dhe pas disa sekondash tha se beson se vuante nga "një mini aritmi kardiake”.

Lajmi u përhap menjëherë në internet, edhe sepse ish-sulmuesi argjentinas u detyrua të tërhiqej nga futbolli për shkak të problemeve me zemrën, që nuk e lejonin më të luante në nivele profesionale.

Në nëntor 2021, kur luante për Barcelonën, disa ditë pasi u sëmur në fushë gjatë ndeshjes së La Liga-s kundër Alaves, argjentinasi ishte diagnostikuar me një aritmi kardiake për të cilën u operua dhe një çip iu fut në muskulin e zemrës për të monitoruar rrahjet e saj.

Kështu, kur po komentonte “live”, i ndjekur nga mijëra transmetues dhe fansa të “Kings League”, Kun Aguero pati shqetësime. Askush nuk mendoi për një shaka apo trillium, por mendimet fluturuan drejt atij tetori 2021.

Në një moment, kur biseda po vazhdonte normalisht, Aguero preku gjoksin e tij dhe pushoi së foluri: "Çfarë nuk shkon?" – e pyeti Ibai, i cili nuk e kuptoi menjëherë se çfarë po ndodhte. Pa iu përgjigjur, Aguero kapi menjëherë celularin, ku pa aplikacionin që tregon informacionin e dërguar nga çipi në kohë reale për të monitoruar aktivitetin e zemrës.

“Mendoj se kam një mini-aritmi”, – tha ai duke i ndërthurur fjalët me më shumë momente heshtjeje. "Tani?" – e pyeti Ibai përsëri. Dhe kur Kun heshti duke vënë dy gishta në qafë për të matur pulsin erdhi pyetja më e shqetësuar: "A dëshiron të shkojmë te një mjek?"

“Jo, jo, – u përgjigj më në fund argjentinasi, – sepse kam një çip, që do të më paralajmëronte dhe dërgonte një sinjal zanor”. Fatmirësisht ishte vetëm një frikë e thjeshtë, që zgjati disa sekonda. Aguero, edhe pse pak i tronditur, e mori veten dhe tejkaloi momentin, duke rifilluar me qetësi transmetimin e drejtpërdrejtë.

Aguero është një nga yjet e “Kings League”, kampionat që po bën shumë bujë, i krijuar nga Gerard Piquè dhe me ndjekje mbresëlënëse si “live”, ashtu edhe në rrjete të ndryshme sociale. Aguero u përfshi plotësisht në këtë iniciativë menjëherë, duke krijuar ekipin e tij, “Kunisports”, ku është president dhe në të cilin luajti edhe pjesë ndeshjesh.

Gjithmonë i apasionuar pas video-lojërave drejtpërdrejt në internet dhe rrjetet sociale, ish-kampioni argjentinas është një personazh shumë i njohur në ueb për shkak të disa prej komenteve të tij të emocionuara gjatë “live” online.