Transmetuar më 31-03-2023, 12:39

Wayne Rooney ka folur sërish për Cristiano Ronaldon, me të cilin marrëdhënia e tij në kohët e fundit nuk ka qenë më e mira, mbi të gjitha, për shkak të disa deklaratave të trajnerit aktual të DC United ndaj portugezit. Këtë herë ai foli me një ton më të përzemërt.

Anglezi beson se trashëgimia e Cristiano Ronaldos me Manchester United është ende e paprekur, pavarësisht se si përfundoi eksperienca e tij e dytë.

Duke folur për CNN, Rooney u shpreh: "Unë mendoj se ajo që ka bërë për Manchester United është e mrekullueshme. Ronaldo ka fituar tituj të Premier League, ka fituar Ligën e Kampionëve, ka shënuar shumë gola.

Për tifozët dhe futbollistët që luajtën veçanërisht në kohën time, kurrë nuk do të harrohet ajo që bëri Ronaldo me Manchester United.

Për mendimin tim, ai do të jetë gjithmonë një legjendë e klubit. Është e turpshme se si përfundoi, natyrisht, këtë herë, por nuk mendoj se kjo i heq asgjë nga trashëgimia e tij në klub".

Rooney dhe Ronaldo ndanë fushën për disa sezone në Manchester, duke fituar tre Premier League dhe një Champions League.

Pavarësisht ndjenjave të tij, Rooney ende mendon se Manchester United bëri gjënë e duhur në përfundimin e kontratës së Ronaldos, dhjetorin e kaluar: "Për Manchester United ishte e rëndësishme të dilte nga kjo situatë sa më shpejt që të ishte e mundur dhe të ripërqendrohej në grupin e lojtarëve që ishin atje.

Ten Hag ka bërë një punë vërtet të mirë për të rifokusuar lojtarët dhe për t’i vendosur ata në pozicione ideale në fushë”.