Transmetuar më 31-03-2023, 13:42

“Sigurisht që ne jemi në kontakt me Messin”. Barça nuk e fsheh më se rikthimi i argjentinasit është prioritet dhe këtë e bëri përmes zëvendëspresidentit të saj, Rafael Yuste, në kuadër të prezantimit të Kupës së Botës në Akademinë e Barçës.

Ai u pyet nëse klubi ëndërronte rikthimin e argjentinasit dhe mbi të gjitha nëse ata ishin në kontakt: “Leo dhe familja e tij e dinë dashurinë që kemi për ta. Kam marrë pjesë në negociatat e rinovimit që nuk u realizua dot dy vite më parë. E kam të ngulur atë ‘gjemb në mish’ dhe nëse flasim për ‘La Masia’, flasim për Leo Messin.

Do të doja që ai të kthehej, mendoj edhe fansat po kështu, sepse historitë e bukura në jetë duhet të kenë një fund të lumtur. Dhe ne jemi të dashuruar me Messin. Edhe Messi është i dashuruar me Barçën dhe qytetin e Barcelonës”.

As pengesa e faturës së pagave nuk e ndal ëndrrën e Barçës: “Mateu dhe Jordi duhet t’i paraqesin Javier Tebas planin e qëndrueshmërisë dhe të ardhurave brenda dy muajsh. Nëse krijohen të gjitha kushtet, ne do ta eksploronim këtë mundësi. Presidenti ka folur me babain e Leos dhe ka një marrëdhënie të mirë.

Natyrisht, nuk ka asnjë plan sulmi, sepse nuk dua që PSG ta marrë pikërisht kështu. Nëse kjo del, do të dalë sepse fati të bën të kthehesh atje ku duhet të kthehesh. Nëse do të mund t’i plotësonim të gjitha kushtet dhe ta kthenim Leon në Barcelonë, do të ishte fundi i përsosur i një historie shumë të lumtur”.

Yuste u përball me më shumë çështje. Për shembull, ai i Ansu Fatit, vazhdimësinë e të cilit nuk e garantoi 100 për qind, megjithëse donte të paralajmëronte se Xavi e kishte në dorë: "Kam folur me Ansu. Të shohim, unë kam dy fëmijë dhe si baba ndonjëherë të rrmëben emocioni (në lidhje me deklaratat e Bori Fatit).

Babai mendoi për djalin e tij dhe jo më tej. Ansu është totalisht i identifikuar me projektin, ka një dëshirë të çmendur për të pasur sukses këtu dhe po stërvitet në maksimum për të pasur minutat që logjikisht i vendos më vonë trajneri.

Kurrë nuk garantoj asgjë 100 për qind, sepse në radhë të parë nuk varet nga unë. Këtu është një trajner dhe një drejtor futbolli që japin vizionin e tyre. E vetmja gjë që mund të them sot është se Xavi e ka në plane këtë djalë”.