Transmetuar më 07-04-2023, 23:26

KOSOVË- Rikthehen tensionet në veri të Kosovës. Një shtetas i Serbisë është arrestuar sot në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, pasi ka sulmuar fizikisht një punonjës të Policisë së Kosovës. Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se sulmi fizik ka ndodhur pasditen e sotme rreth orës 16:30, pasi punonjësit e doganës i kërkuan që të nënshkruante një dokument për refuzim hyrje në Kosovë. Fillimisht serbi ka nisur me ofendimi dhe më pas ka vazhduar që të dhunonte efektiv e policisë së Kosovës. Siç shihet dhe nga fotot, efektivi i policisë është gjakosur nga sulmet dhe është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas policisë, për rastin është njoftuar prokurori, kurse ndaj të dyshuarit është ngritur akuza ‘sulm ndaj personit zyrtar’ dhe është dërguar në paraburgim.

“Në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinje, sot më 07.04.2023, rreth orës 16:30, në hyrje për në Republikën e Kosovës, ka ardhur një shtetas i Serbisë, i cili nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm për të hyrë në Republikën e Kosovës. Pas refuzimit për hyrjes në vendin tonë, i dyshuari N.T., (viti i lindjes 1981, shtetas serb i Serbisë) ka filluar të fyejë zyrtarët policorë, që ishin në detyrë zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar. Të dyshuarit i është kërkuar nënshkrimi i dokumentit/vendimit për refuzim të hyrjes në vendin tonë. Ai nuk ka pranuar të nënshkruaj atë vendim dhe ka sulmuar njërin nga zyrtarët policor të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Polici i lënduar është dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.