Transmetuar më 19-04-2023, 21:00

Në kremtim të muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe ne respekt të traditës shumëvjeçare, Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama shtruan një darkë iftari në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Rama duket se e ka marrë veten pas operacionit që iu nënshtrua mbrëmjen e 17 prillit, për heqjen e apendisitit.

“Muaji i Bekuar. Në Tryezën e Iftarit për më shumë paqe, shëndet, mbarësi dhe njerzillëk pavarësisht besimeve a mosbesimeve, bindjeve a dallimeve. I lehtë qoftë agjërimi për të gjithë besimtarët”, shkruan Rama në Facebook.

Kryeministri u shfaq i ulur në krah të bashkëshortes së tij, Linda Rama dhe ambsadoreve të SHBA dhe BE, Yuri Kim dhe Christiane Hohmann.

Si asnjëherë më parë, sivjet Rama nuk mbajti fjalim, këtë e bëri e shoqja, Linda.

Ajo foli dhe për sëmundjen e kryeministrit: "E vërtetë, jo çdo e keqe vjen vetëm për keq! Edhe apendisiti i Edit mund të them që nuk paska ardhur vetëm për keq pasi, falë ndërhyrjes për heqjen e tij, në vend që sonte të dëgjoni një fjalë të gjatë nga Edi do të dëgjoni një përshëndetje të shkurtër nga unë", tha ajo me humor.

Kurse më tej tha: "Në 30 orët e qëndrimit me Edin në spital pata mundësinë të jem mes një ekipi mjekësh dhe infermieresh të perkushtuar. Aida, Ela, Anxhela, Sonila, Elena, Delina ishin vajzat që kujdeseshin si flutura mbi kryet e pacientëve pa e thyer heshtjen dhe pa e humbur zhdërvjelltësinë mbresëlënëse të duarve, bashkë me buzëqeshjen inkurajuese, përgjatë orëve të avashta të natës.

Teksa rrija e ulur në karrige, pak pas mesnatës, njëra prej tyre më afrohet dhe më pyet me zë të ulët: T’ju sjell një jastëk?

E më parë erdhi se sa iku duke më lënë në dorë një jastëk të vogël që e mbajta nën qafë gjatë gjithë natës. Në të zbardhur pashë që jastëku që kish qëndruar me mua ishte një jastëk bebesh, me një rosak të qëndisur me dorë në mes të tij. I kujt është ky jastëku që ma lehtësoi natën mua, e pyeta. I vajzës time, tha. E mbaj pranë në orët e natës, kur jam në punë. Uroj t’ju ketë shërbyer. E pashë me admirim për shpirtin e saj dhe e pyeta si quhet vajza? Ajlina tha dhe i qeshën sytë.

Ajlina, ëngjëlli me emrin e vjetër musliman që do të thotë sublimja, kishte qëndruar e mua si “dritë e hënës” dhe “dhuratë e Zotit” në një natë të vështirë në muajin e Ramazanit", tha Linda Rama. /noa.al