Transmetuar më 01-05-2023, 21:00

Kryeministri Edi Rama njoftoi sonte nga Korça se shumë shpejt nis projekti për sistem ngrohjeje me gaz për të gjitha banesat dhe bizneset.

"Ky është momenti i duhur për t’ju dhënë të gjitha grave të Korçës një lajm, besoj që të mirë. Ne jemi duke punuar me qeverinë e Azerbajxhanit dhe projektin e parë i cili po finalizohet e për të cilin është gati dhe financimi, është projekti i ndërtimit të sistemit të furnizimit me gaz për ngrohje të të gjitha shtëpive të Korçës dhe besoj që ky është një lajm i mirë për gratë, që nuk do kenë më nevojë të luftojnë me burrat që t’u gjejnë dru për zjarr", tha Rama në takim me vajza e gra të juglindjes.

Ky është një lajm i mirë për familjet e Korçës që nuk do të kenë më një dhomë të nxehtë dhe gjithë dhomat e tjetra të ftohta. Një dhomë e ftohtë mbase do të duhet që të fusin burrat aty kur nuk sillen mirë, por atë mund ta zgjidhni me çelësin e gazit, – shtoi ai.

Kryesocialisti pohoi se ky është një lajm shumë i mirë për pyjet, për shëndetin, e patjetër dhe për gjithë biznesin, hotelerinë.

Rama tha se ky nuk është një projekt që do të nisë pas shumë vitesh, por nuk tha se kur:

"Ky është një projekt që do të nisë shumë shpejt. Bashkë me të tjera projekte që i kemi përgatitur sepse ju e dini që Korça është i vetmi vend në Shqipëri po e po, por mbase dhe në Europë që ka dy kryetarë bashkie. Një e ka këtu, një e ka në qeveri në Tiranë." /noa.al