Transmetuar më 05-05-2023, 12:09

Nga Artur Meçollari

Çdo marrëveshje e re detare me Greqinë, në Hagë ose jo, nuk do të krahasohet më me 2009, por me 2018. Tashme nuk është më ndonjë çudi që Presidenti i Republikës së shpejti të firmose dhënien e autorizimit dhe nisjen e negociatave për arritjen e Marrëveshjes Speciale me qëllim referimin e çëshjes së detit me Greqinë në Hagë.

Procesi i ratifikimit të draft-marrëveshjes që do të dakordësot nga grupi negociator do të jetë i gjatë, pasi sipas ligjit duhet të miratohet fillimisht nga Presidenti, Këshilli i Ministrave dhe përfundimisht nga Parlamenti.

Kjo, pasi vendimi i GJND në Hagë do të jetë përfundimtar dhe i detyrueshëm. Gjatë këtij procesi miratimi deri në Parlament, draft-marrëveshja do të jetë publike (si më 2009) dhe do t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit nga ekspertet dhe publiku.

Draft-marrëveshja e vitit 2009 u rrëzua nga GJK me vendimin nr. 15, datë 15 prill 2010, dhe teknikisht nuk ekziston më. Ajo ka vetëm vlera studimore juridike, metodologjike dhe krahasuese. Draft-marrëveshja e pritshme e Marrëveshjes Speciale me Greqinë do të jape një projeksion për rezultatin e pritshëm në Hagë.

Kjo do të varet nga mënyra se si ajo do të formulohet dhe sa do të marre në konsideratë dakordësitë e negociatave të vitit 2018. Pra, krahasimi i pritshmërive të vendimit të GJND në Hagë nuk do të jetë me rezultatin e 2009, por me pritshmëritë dhe dakordësitë e arritura në negociatat e vitit 2018.

Një proces i ri negocimi nenkupton se dosja e 2018 është mbyllur dhe se bërja e saj publike nuk dëmton asnjë negociate apo marrëdhenie dypalëshe. Bërja e saj publike nga Presidenti i Republikës dhe MEPJ do të hedhe drite mbi shumë pikepyetje që lidhen me rezultatet e negociatave të vitit 2018 dhe arsyet përse u ndërprenë ato negociata.

Termi se vendimi i GJK "është vijë e kuqe", apo "do të zbatoj vendimin e GJK" nuk mund të përdoren më si sllogane. GJK e ka trajtuar çështjen në themel dhe detyrimet që rrjedhen nga ky vendim janë plotësisht të qarta dhe konkrete.

Palët gjithmonë hyjnë në një negociata për kufizimin e hapësirave detare, për të fituar sa më shumë sipërfaqe, duke aplikuar me pragmatizëm parimet e të drejtës ndërkombëtare. Në negociatat e vitit 2018 u përmbushën detyrimet që rridhnin nga Vendimi nr. 15, datë 15 prill 2010.

Palët ranë dakord:

👉Delimitimi i hapësirave detare të do bëhej sipas vijës me distanca të barabarta të korrektuar (efekti i ishujve dhe shkëmbinjëve)

👉U ndryshua titulli i draft-marrëveshjes (tashmë për të tre hapësirat detare)

👉U ndryshua neni 2 i draft-marrëveshjes (duke mos cënuar më një palë të tretë)

👉U verifikua mbivendosja e kufirit detar në Gjirin e Ftelias sipas parashikimeve të Protokollit të Firences të vitit 1925 për kufijtë tokësor me Greqinë.

Përtej detyrimeve të Vendimit të GJK, palët ranë dakord gjithashtu:

👉 Në preambullën e draft-marrëveshjes u përfshi si referencë Protokolli i Firences të vitit 1925 për kufijtë tokësor me Greqinë, i firmosur, por i paratifikuar nga Greqia.

👉U njoh vija e drejtë bazë e Shqipërisë e cila mbyll 145 km² det të brendshëm dhe jep një efekt pozitiv prej 40 km² në vijën delimituese, kjo e krahasuar me vitin 2009. Palër nuk u dakordësuan për një vijë delimituese përfundimtare, pasi procesi i negocimit u pezullua. Ngeli pa u dakordësuar masa e uljes së peshës së ishujve dhe shkëmbinjëve në korrektimin e vijës provizore me distanca të barabarta.

Pra, në vitin 2018 rezultati i dakordësive përfshinte:

👉1) Draft-tekstine marrëveshjes

👉2) Vijën provizore me distanca të barabarta me efekt pozitiv 40 km² krahasuar me 2009

👉3) Njohja nga Greqia e Protokollit të Firences të vitit 1925 për kufijtë tokësor me Greqinë

Ngeli pa u dakordësuar masa e uljes së peshës së ishujve dhe shkëmbinjëve, e cila do të jepte një sipërfaqe tjetër shtesë, përvèç 40 km², në favor të Shqipërisë. Që Shqipëria të arrijë një rezultat më të mirë se pritshmëritë e negociatave të vitit 2018, duhet që në Marrëveshjen Speciale për në Hagë të përfshihen vetēm mosdakordësitë e vitit 2018, pra uljen e peshës së ishujve dhe shkëmbinjëve.

Nëse Marrëveshja Speciale do të përfshijë të gjithë cëshjen, bien dakordësitë e vitit 2018 dhe në Hagë rrezikojmë të humbasim vijën e drejtë bazë dhe efektin e saj prej 40 km². Gjithashtu humbasim edhe njohjen nga Greqia të Protokollit të Firences të vitit 1925 për kufijtë tokësor. E vetmja pritshmeri, duke e krahasuar me 2009, do te jetë sa sipërfaqe do fitohet nga ulja e peshës së ishujve dhe shkëmbinjëve.

Sipas parashikimit tim, nëse në Hagë do të shkojmë për të gjithë çështjen e detit me Greqinë (marrëveshja politike 20 tetor 2020), duke bërë nul negociatat e vitit 2018, Shqipëria rrezikon të ketë një rezultat shumë të keq se pritshmëritë e 2018 dhe pak më të mirë se 2009.