Transmetuar më 05-05-2023, 15:29

Panairi i 133-të i Kantonit shpërfaq gjallërinë e tregtisë së jashtme të Kinës

Blerës të huaj në Panairin e Importit dhe të Eksportit të Kinës (Foto:VCG)

Panairi i Importit dhe Eksportit i Kinës, i njohur edhe si Panairi i Kantonit apo Panairi i Guangzhou-t, ka nisur në vitin 1957 dhe vlerësohet si një pasqyrë e tregtisë së jashtme të Kinës.

Panairi i këtij viti rinisi të gjitha veprimtaritë me prani konkrete në Guangzhou, pasi u mbajt kryesisht në internet që prej vitit 2020 për shkak të masave parandaluese të COVID-19.

Zona e ekspozimit e edicionit të 133-të të Panairit të Kantonit arriti një rekord prej 1.5 milionë metrash katrorë, me 70 000 kabina ekspozimi.

Në të kanë marrë pjesë me prani fizike rreth 35 000 ekspozues e blerës nga 226 vende e rajone të botës.

Panairi i Kantonit u mbajt në tre faza për produkte të ndryshme.

Faza e parë e veprimtarisë, e cila u zhvillua nga 15 deri më 19 prill, përfshinte kategori si pajisjet shtëpiake dhe materialet e ndërtimit, duke tërhequr 1.26 milionë vizitorë.

Në fazën e dytë, nga 23 më 27 prill, u ekspozuan mallra të përdorimit të përditshëm, dhurata e zbukurime shtëpie, duke tërhequr rreth 815 000 vizitorë.

Faza e tretë përbëhej nga produkte si rrobat dhe tekstilet, këpucët, pajisjet e zyrës, bagazhet, produktet e kujdesit mjekësor e shëndetësor dhe ushqime, duke zgjatur nga 1 deri në 5 maj.

Të ardhurat nga eksporti në fazën e parë dhe fazën e dytë të Panairit të 133-të të Kantonit i kaluan përkatësisht 12.8 miliardë dhe 4.5 miliardë dollarët.

Panairi i 133-të i Importit dhe Eksportit i Kinës pati më shumë vizitorë sesa pritej. Deri më 4 maj, numri i tyre i kaloi 2.84 milionët.