Transmetuar më 06-05-2023, 14:55

Nga Artan FUGA

I kanë humbur femrat, gratë dhe vajzat. E kam shkruar; janë krejt të papërfaqësuara si kandidate për kryetare bashkish. Por mbi të gjithë i kanë humbur popullsite rurale, troç: fshatarët e nderuar. Ata që duhej të ishin popullsia më jetike si sektor, sepse duhej të mbante me ushqim kombin, duhej të lindte djemtë e vajzat e gjeneratave të reja, ata që mbrojnë vendin, ata që iu japin jetë burimeve natyrore.

Më gjeni një fshatar ndër këshilltarët për bashkitë… Vendet i kanë zënë burokratët e qyteteve, kollarexhinjtë me jaka të bardha dhe fuoristrada. Më gjeni një kandidat për kryetar bashkie fshatar. As mos t’ju shkojë në mendje. Më gjeni një kryetar partie a drejtues të rëndësishëm politik me banim në fshat. Harrojeni!

Më gjeni një takim elektoral drejtuesish partie në ndonjë fshat. As bëhet fjalë! Më gjeni një premtim elektoral për popullsitë rurale, për urbanizimin e zonës fshatare. Zerooooo! Zerooooo! I ka hypur kalipiç fshatarësisë burokracia qytetase e qendrave urbane.

Fshatarësia, kjo skllave politike që thirret të votojë për pushtetin vendor, por duke qenë e përjashtuar nga pushteti. Çfarë drame!  Dhe flasim përse jemi në krizë. Përse ikin të rinjtë ruralë nga vendi. Ne i kemi çnderuar politikisht. Pushteti vendor është çomangë mbi kokën e popullsive rurale.

Kjo e shpopullon fshatin duke e boshatisur atë. Tufëzimi në vitet 80-të e boshatisi fshatin nga delet dhe viçat, reforma territoriale e boshatisi nga njerëzit. E don një studim kjo situatë, se po vazhduam kështu na ka marrë dreqi. Por akademikët flenë, sepse i kanë vënë në gjumë.

T’i thërrasim mendjes sa nuk është vonë!