Transmetuar më 07-06-2023, 09:30

Nisi procedimi në gjendje të lirë ndaj administratorit të firmës private "Xhani Trans", pasi gjatë procesit të ppunës shtë dëmtuar punonjësi, shtetasi Agron Kotorri, i cili ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën

Elbasan – Një grua në Elbasan ka denoncuar stafin e spitalit rajonal se ka lënë pa ndihmë mjekësore të shoqin që përpëlitej nga dhimbjet pas një aksidenti në punë tek një kompani private, raporton noa.al.

Zyrtarisht bëhet e ditur se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-E. J., 41 vjeç, me detyrë mjek në spitalin rajonal të Elbasanit, për veprën penale "Neglizhenca në trajtimin mjekësor";

-I. I., 49 vjeç dhe E. H., 29 vjeçe, anëtarë të stafit mjekësor të spitalit rajonal të Elbasanit,

si dhe për shtetasin B. P., 49 vjeç, punonjës për ruajtjen e sigurisë fizike të këtij spitali, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit";

– B. Xh., 55 vjeç, me detyrë administrator i një firme private, për veprat penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë", "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" dhe "Moskallëzimi i krimit".

Ndaj këtyre shtetasve ka bërë kallëzim shtetasja L. K., 41 vjeçe, se gjatë procesit të punës në firmën që administrohet nga B. Xh., është dëmtuar jashtë rrezikut për jetën, bashkëshorti i saj, Agron Kotorri, 54 vjeç, banues në Elbasan (shofer në këtë firmë).

Gjithashtu, 41-vjeçarja ka vënë në dukje nëpërmjet kallëzimit të saj, se stafi mjekësor i spitalit rajonal të Elbasanit, i turnit kur është paraqitur për të marrë mjekim i shoqi A. K., ka neglizhuar dhënien e asistencës mjekësore për bashkëshortin e saj.

Vijojnë veprimet hetimore me qëllim verifikimin e plotë ligjor të këtij kallëzimi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.