Transmetuar më 09-06-2023, 10:51

EGJIPT- Një burrë rus rreth të njëzetave u vra nga një peshkaqen në resortin Hurghada të Detit të Kuq të Egjiptit. I riu po notonte, derisa pranë tij u shfaq një peshkaqen tigër dhe e sulmoi, ndërsa një video nga momenti, qarkulloi kudo në rrjetet sociale.

Konsulli i Përgjithshëm rus Viktor Voropayev i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se autoritetet egjiptiane i kishin konfirmuar vdekjen e shtetasit rus, i cili kishte lindur në vitin 1999.

"Viktima nuk ishte një turist, por një banor i përhershëm i Egjiptit,"- tha Voropayev për agjencinë e lajmeve.

Ministria e Mjedisit e Egjiptit njoftoi tha se aktivitetet ujore do të pezullohen për dy ditë duke filluar nga e premtja. Deti i Kuq është një destinacion popullor turistik, ku peshkaqenët janë të zakonshëm, por rrallë sulmojnë njerëzit që notojnë brenda zonave të autorizuara.

Korrikun e kaluar, dy gra, një austriake dhe një rumune, u vranë nga një sulm peshkaqen pranë Hurghadës.