Transmetuar më 09-06-2023, 13:03

Britania e Madhe do të ndërmarrë sanksione të reja për Shqipërinë, duke shpallur persona të tjerë "non grata" për vendin e tyre, veç ish-kryeministrit Sali Berisha. Sanksionet pritet që të merren javën që vjen, por ende nuk bëhen me dije emra të personazheve që janë në "shënjestër".

"Kur bëhet fjalë për sanksione dhe veprime që duhen marrë për ata që ne gjykojmë se janë përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion, sërish ne ndjekim një qasje të balancuar. Kjo nuk shënjestron asnjë individ, sikurse e përcaktoi qartë Lord Peach, kur njoftoi atëherë valën e parë të sanksioneve, në korrik të vitit të shkuar, ata ishin kundër një sërë individësh. Sikurse e dini, kur bëhet fjalë për kufizime të hyrjes ne MB, si në këtë rast, ne nuk i deklarojmë emrat, pra jo gjithkush e ka bërë publike përfshirjen e tyre në këtë valë sanksionesh. Por, sikurse edhe e thashë më parë, do të ketë valë të tjera sanksionesh kundër atyre të përfshirë në veprimtari kriminale dhe korrupsion,"- tha ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, në një intervistë në emisionin “Real Story”.

Qëllimi i sanksioneve, sipas tij, nuk janë individët, por llogaridhënia.

"Askush nuk qëndron mbi ligjin. Duhet të zbatohet për të gjithë në mënyrë të balancuar, jo e përqendruar vetëm te një parti politike apo grup. Këto janë vendime që janë ndërmarrë nga Ministri i Punëve të Jashtme, nga Ministri i Punëve të Brendshme, pra në krye të Qeverisë, bazuar në informacionet dhe provat që ne kemi. Çështja këtu është se kjo mund të zbatohet për të gjitha grupet politike, mund të zbatohet për biznesmenët, për kriminelët dhe individë të tjerë, dhe nuk përqendrohet te një grup individësh ose partish politike,"-tha Alastair King-Smith.

Ambasadori britanik tha se ekziston mundësia që të jenë sanksione publike, pra jo vetëm ndalime të hyrjes në Britaninë e Madhe, por mendohet se edhe emrat do të bëhen publikë. Deri më tani i vetmi emër që është bërë publik është Berisha, vendim që u mor në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që Bashkimi Europian, ende nuk i është bashkuar sanksioneve të ngjashme. Sikurse për vendimin e amerikanëve, edhe për këtë “non grata” britanike, Sali Berisha ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Ramën. Po ashtu, kryedemokrati e fajësoi ambasadorin për shpalljen e tij non-grata nga Mbretëria e Bashkuar, duke thënë se ambasadori ka keqinformuar qeverinë britanike. Berisha e cilësoi King-Smith si "racist ose të korruptuar" dhe tha se do të kërkojë të drejtën në Britani.