Transmetuar më 09-06-2023, 13:20

Një konflikt mes dy burrave në një lokal të Tiranës para 10 vitesh solli dhe nisjen e gjakmarrjes mes dy fiseve. Viktima i kishte ofenduar autorit besimin fetar dhe familjen (nenën, motrën), ky i fundit kishte insistuar t’i kërkonte falje, kjo nuk ndodhi dhe autori e vrau.

Autori u burgos por konflikti nuk u mbyll aty, dy familjet tashmë janë në gjak me njëra-tjetrën.

“Shqipëria Live” transmetoi ditën e sotme një intervistë me kunatën e autorit (gruaja e vëllait), e cila tregoi se si pas ngjarjes u largua nga qyteti i saj i origjinës për t’u shpërngulur në një fshat të një zone tjetër, në kushte tejet të vështira ekonomike.

Ndonëse gjakësi nuk ka tentuar asnjëherë të marri hak, ata vazhdojnë të ruhen pasi siç dhe ajo shprehet janë fajtor dhe është radha e tyre të marrin hak. 58-vjeçarja, nënë e 4 fëmijëve tashmë është bërë gjyshe dhe çdo ditë jeton me frikën e gjakmarrjes.

Djemtë e saj nuk janë kurrë në shtëpi, vinë dhe ikin pa lajmëruar. Burri del fshehurazi ndërsa për të punuar e kanë vështirë sepse askush nuk do të punësoj dike që është në gjak pasi nuk do ta vendosi veten e tij në rrezik. Gruaja shprehet se jeton çdo ditë me frikë derisa meshkujt e shtëpisë kthehen shëndosh e mirë në shtëpi. Ëndërron që një ditë të arrihet pajtimi mes dy familjeve.

58-vjeçarja bën apel për ndihmë pasi ndodhet në kushte të vështira ekonomike dhe askush nuk i ka ndihmuar për këtë, ata jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike 65 mijë lekë.

Pjesë nga intervista:

Prej sa vitesh jeni në gjak?

Prej 10 vitesh jemi në gjak

Si nisi konflikti?

Kanë qenë në Tiranë, në lokal duke pi kafe. Ai i ka sharë fenë, nënën dhe motrën. E ka falur aty. Ka ik te shtëpia i ka thënë a më kërkon falje, ai i ka thënë jo, edhe më shumë. I ka thënë ulu në gjunjë e kërko falje, nuk e ka pas në mend për ta vrarë. Tre ditë pas ngjarjes ne morëm vesh për çfarë kishte ndodhur. Djemtë e mi ishin në arë me kalë dhe burri i ruante nga dritarja me automatik.

Gjatë këtyre 10 viteve, fëmijët janë rritur, ju jeni bërë gjyshe, a ka qenë e vështirë?

Shumë ka qenë. Nuk e di askush, përveç atyre që janë në këtë situatë. Nuk mundesh me dalë më burrin apo djalin me shëtit, pasi ke frikë.

I takon djemtë çdo ditë?

Jo. Nuk e di as kur vijnë dhe as kur dalin. Nuk tregojnë. Kanë punët dhe hallet e tyre, duhet me gjet nja kafshatë bukë. Nuk kemi asnjë të ardhur, marr 65 mijë lek të vjetra ndihmë ekonomike.

Ke frikë për nipërit?

Shumë

Jetoni të ndarë?

Po. Kam shumë mall për ta, i shoh shumë rrallë. Veç kur shkoj vetë me i takuar.

Keni kërkuar ju për tu pajtuar, keni dëshirë?

Gjëja më e bukur do ishte të pajtoheshim. Por sot nuk të pajton kush. Dikur ndërhynin burrat, por tani nuk ndërhyn njeri. Nuk kemi dashur tjetër gjë. I lutemi Zotit me më lënë shëndosh familjen time.