Transmetuar më 09-06-2023, 13:25

Kombëtarja jonë kuqezi vijon përgatitjet me ritëm të lartë për dy eliminatoret e qershorit, ndaj Moldavisë në Tiranë, më 17 qershor, dhe në transfertë më 20 qershor ndaj Ishujve Faroe. Dy sfidat më të lehta në letër në grupin kualifikues, por nuk ka vend për nënvlerësim në të tilla nivele konkurrence.

Nisja me humbje ndaj Polonisë i bën jetike 6 pikët në dy sfidat e radhës. Sot në konferencë për shtyp ka dalë Armando Sadiku, sulmuesi veteran tashmë i kombëtares, i cili nuk ishte thirrur prej më shumë se dy vitesh. Me optimizmin e të rikthyerit nga trajneri Sylvinho, elbasanasi kuqezi e ka nisur vrullshëm me premtime. Ai do të shprehej para gazetarëve:

Tri vite pa qenë në kombëtare…?

Prisja që trajneri të më thërriste. Me ka marrë në telefon dhe kemi biseduar disa herë, jam i kënaqur që u ktheva, kisha koha që e prisja këtë moment.

Si e keni gjetur grupin, pasi ka shumë fytyra të reja…

Ka çuna të rinj, disa i kam takuar, por edhe të tjerët i njoh. Është krijuar një grup i mirë, me mjaft cilësi. Jemi të gjithë për një qëllim. Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e kombëtares dhe jap kontributin tim.

A e mbyllet me Kartagjenën, ku luani në Spanjë?

Klubi më ka propozuar të njëjtën kontratë që kisha, por kam kërkuar pak kohë, meqë jam pjesë e kombëtares. Kur të mbyllim ndeshjet e kombëtares, sepse kam edhe oferta të tjera, do të vendos.

A mund t’i fitojmë dy ndeshjet e radhës. E shihni që mesfusha e ka potencialin për t’ju furnizuar me topa?

Vetëm të shohësh ku luajnë mesfushorët tanë, e kupton që kanë shumë kualitet. Ne duhet të jemi të vëmendshëm në çdo aksion, duhet të shfrytëzojmë rastet dhe të shënojmë gola. Kundërshtarët tanë do të qëndrojnë në mbrojtje, ne sulmuesit kemi besim se do të shërbehemi dhe duhet të shënojmë.

Mund ta përsëritim suksesin e vitit 2016?

Jam i bindur dhe kam besim. Grupi na e lejon, edhe pse nuk mendoj se ka ekipe të dobëta. Kam besim se do t’ia arrijmë, edhe më mbështetjen e tifozëve në shtëpinë tonë. Shpresoj të përsëritim suksesin e vitit 2016.

Sylvinho ju ka cilësuar simbol të kombëtares…

Jam shumë i lumtur, më ka thirrur në telefon, kemi biseduar dhe më ka thënë se do të jem i rëndësishëm. Unë do të jem në dispozicion të tij dhe këtë besim dua t’ia shpërblej në fushë.

Çfarë prisni nga tifozët në ndeshjen me Moldavinë?

Është e vërtetë që pa tifozët nuk do të shkonim në Evropian më 2016. Pa mbështetjen e tyre nuk do t’ia kishim dalë. Iu bëj thirrje që të na mbështesin, sepse kemi shumë nevojë për ta, do t’tua shpërblejmë. Iu premtoj se do të kthejmë atmosferën e vitit 2016.

Si e sheh konkurrencën në sulmin e kombëtares dhe a mendoni se do të luani titullar?

Konkurrenca të përmirëson, pastaj zgjedhjet i përkasin trajnerit. Duhet të jemi të gatshëm të japim maksimumin sa herë të na jepet mundësia.