Transmetuar më 09-06-2023, 14:09

Prishtinë- Kryeministri Rama tha se ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian për këtë projekt statut, por ky institucion nuk ju përgjigj interesimit të Zërit të Amerikës për të konfirmuar nëse ka pranuar këtë dokument dhe për të dhënë vlerësimet e para rreth nismës, deri në përgatitjen e këtij materiali.

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka komentuar nismën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, për hartimin e një projekt-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila u prit me qëndrime të ndara të partive opozitare në vend. Një pjesë e opozitës e vlerësoi nismën e zotit e Rama, ndërsa pjesa tjetër tha se hartimi i projektit i takon vetëm qeverisë së Kosovës.

Ndonëse qeveria ende nuk ka bërë ndonjë koment, shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvëndosje në pushtet, Mimoza Kusari – Lila, tha se çfarëdo veprimi në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të kalojë së pari në Kosovë para se të shkojë në duart e komunitetit ndërkombëtar.

“Ai dokument është për Kosovën dhe para se të shkoj atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën, për qytetarët e Kosovës. Prandaj nuk kam tjetër çfarë të shtoj, nëse dikush e merr ose ndjehet që e ka patronatin mbi një proces që nuk e ka dhe shtyn përpara diçka të tillë”, tha ajo.

Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se propozimi i kryeministrit Rama, është hap i drejtë dhe i duhur që i shërben qëllimit të Kosovës për ta shtrirë sovranitetin në tërë territorin e saj.

“Mendoj se kryeministri Rama ka të drejtë dhe ka mundësi që ta bëjë një propozim të tillë se si të tejkalohet gjendja në veri të vendit dhe nëse ka të drejtë një fondacion gjerman si Friedricj Ebert Stiftung apo institucione të tjera që të dalin me propozime siç kanë bërë gjatë viteve të fundit, atëherë është shumë legjitime edhe qasja e kryeministrit Rama që të jep një ide”, tha Hoxhaj.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në një reagim në rrjete sociale tha se vetëm qeveria e Kosovës është përgjegjëse për të hartuar projektin e statutit të asociacionit. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shefi i grupit paralamentar, Besnik Tahiri tha se një nismë e tillë tregon për shkallë shumë të ultë të bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë.

“Ne si Aleancë nuk dimë çfarë dokumenti është, rrjedhimisht ky është një dokument konfidencial, një komunikim i kryeministrit Rama me medie rreth një çështjeje që lidhet dretëpërdrejtë me organizimin e brendshëm të Kosovës. Por nuk dimë cili është komunikimi ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë”, tha ai.

Kryeministri Rama tha se ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian për këtë projekt statut, por ky institucion nuk ju përgjigj interesimit të Zërit të Amerikës për të konfirmuar nëse ka pranuar këtë dokument dhe për të dhënë vlerësimet e para rreth nismës, deri në përgatitjen e këtij materiali.

Kosova dhe Serbia në vitin 2013 u morën vesh për themelimin e Asociacionit në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian ku palët janë të përfshira për më shumë se një dekadë me synim normalizimin e marrëdhënieve.

Në muajin gusht të vitit 2015 palët u pajtuan për parimet e tij dhe po atë atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Zotimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe u përtëri në marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti, që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian. /Zëri i Amerikës