Transmetuar më 09-06-2023, 14:26

"Ndoshta ndonjëherë nuk jemi aq të shkëlqyer, ose kundërshtari luan më mirë, siç na ka ndodhur në të kaluarën. Ndodh dhe duhet ta pranojmë. Sigurisht, është një prag sfide speciale. Për mendimin tim, ky do të jetë çelësi i suksesit: sa më të qetë të shkojmë në këtë finale kundër Interit, aq më shumë shanse do të kemi për ta fituar Ligën e Kampionëve”.

Kështu tha mesfushori i Manchester City, Kevin De Bruyne në një intervistë për “Gazzetta dello Sport” në prag të finales së Stambollit kundër zikaltërve. "Nuk mund të arrish në finalen e Ligës së Kampionëve nëse nuk je një skuadër e madhe. Interi ka fituar shumë në Itali, ka skemat e veta të sakta, stilin e tij.

Zikaltrit dinë ta luajnë lojën e tyre shumë mirë, edhe ne. Në vend të kësaj, ne i kemi armët tona dhe do të mendojmë për të shënuar një gol më shumë. Askush te Manchester City nuk mendon se do të jetë një finale e lehtë. Kemi nga 50% shanse secili finalist për ta ngritur trofeun, – shtoi “regjisori” belg i skuadrës së Guardiolës.

– A kam biseduar për këtë finale me bashkatdhetarin tm, Lukaku? Nuk kemi folur që nga ndeshja jonë e fundit me Belgjikën (28 mars, kundër Gjermanisë). Ne të dy kemi qenë shumë të zënë. Romelu është një nga miqtë e mi më të mirë në futboll, njihemi që kur isha 13 vjeç. Besoj se do të flasim sërish pas finales mbi shumë gjëra…”

Në një prag kaq të veçantë, është e pamundur të mos mendosh për finalen që humbi ndaj Chelsea dy vite më parë: "Unë kurrë nuk kam thyer asgjë në karrierën time, por nga finalja e vitit 2021 kam dalë me hundën e thyer dhe tronditje të kokës. Shpresoj shumë që këtë herë të shkojë ndryshe.

Nuk mendoj se do të bëjmë ndonjë gjë ndryshe nga atëherë. Ndoshta do të ketë disa ndryshime në krahasim me dy vite më parë, por nuk mendoj se do të vërehen. Ka kaluar ca kohë, më ka lindur edhe një vajzë që atëherë. Do të përpiqem të relaksohem, të përgatitem siç bëj zakonisht para çdo ndeshjeje. Dhe të jem gati".